Flash News


KRYESORE

Plagosi efektivin e policisë, lirohet nga gjykata e Krujës Ilir Paja, tre herë i arratisur nga burgjet italiane

Plagosi efektivin e policisë, lirohet nga gjykata e Krujës Ilir Paja,

Gjykatësja Enkelejda Hoxha ka vendosur në seancën e sotme lirimin e Ilir Pajës, një tjetër i dënuari për tentativë për vrasje.

Paja është dënuar për tentativën për vrasje të efektivit të policisë  kriminale, Blendi Haxhimiali. Vendimi i lirimit  të tij erdhi dy ditë pas lirimit të Genc Tafalit i cili ishte akuzuar për vrasjen e drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.

Vendimi i lirimit për Pajën u mor me pretendimin se ai vuante nga një sërë sëmundje, raport i cili u vërtetua nga mjekët.

Ilir Paja u lirua me masën e “qëndrimit në shtëpi”, pasi mjekët dërguan raport në Gjykatë sipas të cilit, Paja vuante nga disa sëmundje.

Ilir Paja është një personazh i njohur për policinë italiane për arratisje spektakolare nga paraburgimi, si dhe përdhunim ndaj të miturave.

Sipas organit të akuzës, Paja akuzohet për disa vepra penale të kryera në territorin italian, mes të cilave edhe “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit” dhe “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”.

Dosja në fjalë është plotësuar me materiale dhe prova të mbërritura me letërporosi nga ana e autoriteteve italiane të hetimit. U mësua se në dosje ndodhen procesverbalet e marrjes në pyetje të 19 personave në Itali, si edhe provat e mbledhura nga hetuesit italianë, në lidhje me ngjarjet e shënuara nga Paja në një hark kohor prej tri ditësh. Referuar kërkesës për gjykim, të depozituar më 15 korrik në Gjykatën për Krimet e Rënda, veprat penale për të cilat dyshohet të jenë kryer nga Paja, janë regjistruar në datat 2, 3 dhe 4 shtator 2006 në Milano, Itali.

Bëhet fjalë për kohën ndërmjet arratisjes së tij të parë të qershorit 2006 nga paraburgimi i Perugia-s dhe deri në arrestimin e tij të dytë, më 4 shtator 2006. Sipas organit të akuzës në këtë periudhë, Paja dyshohet të jetë autori i vrasjes së një shtetasi nga Ekuadori dhe plagosjes së një tjetri, pas një grindjeje që kishte për motiv ngacmimin e një femre ekuadoriane, në kohën që ajo ishte me bashkëshortin e saj.

Referuar hetimeve, Paja kishte qëlluar me pistoletë dhe ka plagosur shtetasit Gonzalo Ramirez dhe plagosur Enrike Erelana, ndërsa i pari ka ndërruar jetë një ditë më pas. Një tjetër  episod i rëndë, sipas akuzës, ishte ai i dhunimit seksual të një 19-vjeçareje rumune.

Të fundit