Flash News

KRYESORE

Plagosja e dyfishtë te ‘Xhamlliku’, identifikohet qytetari që kërcënoi me vdekje policin

Plagosja e dyfishtë te ‘Xhamlliku’, identifikohet qytetari

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për plagosjen e dyfishtë në Tiranë, të personit që kundërshtoi policin dhe të një kalimtareje të rastit.

Në njoftimin zyrtar, policia njofton se në pranga është vënë Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, që e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Policia sqaron se Bilbili, i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë, ndërsa punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

"Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.

Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.

Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tirane, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.

Të fundit