Flash News

OP-ED

Plani i qeverisë kundër koronavirusit nuk u jep qytetarëve sigurinë e nevojshme

Plani i qeverisë kundër koronavirusit nuk u jep qytetarëve

Nga Endrit Avdullari

Ekonomist, mjeshtër shkencash në Manaxhim dhe Financë

Qeveria shqiptare, në sintoni me qeveritë e gjithë shteteve të prekura nga virusi korona ka paraqitur një plan financiar për kapërcimin e krizës. Virusi pritet të shkaktojnë një dëm prej triliona dollarësh, rreth 1.3% e rritjes botërore të prodhimit të përgjithshëm bruto (PBB). Nëse e marrim këtë shifër dhe e krahasojmë në mënyrë të thjeshtëzuar me prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë, dëmi që pritet t’i shkaktohet ekonomisë do jetë mbi 200 milionë dollarë. Plani i përgatitur prej 400 milionë dollarësh duket mbase i pakët po të shtosh dhe kostot mbi buxhetin e shtetit për përballimin e virusit. Sigurisht që Ministria e mbrojtjes, e rendit, e financave dhe mbi të gjitha e shëndetësisë do kenë nevojë për një rritje në buxhetin e tyre, por kur i krahason këto shifra me kostot e disa PPP-ve të dhëna më parë, duket qartë se ndihmat e dhëna në këtë plan nuk do arrijnë të përballojnë dëmin nga pandemia e virusit. Vendet e tjera evropiane kanë vënë në gatishmëri një përqindje shumë më të lartë se sa rreth 2% e PBB-së tyre për të lehtësuar situatën ekonomike, shëndetësore dhe shoqërore.

Plani i qeverisë nuk duket se ka gjetur mbështetje të gjerë sepse qytetarët nuk i kanë respektuar hapsirat e sigurisë dhe kufizimet në qarkullim në shumë raste. Raste të reja po gjehen çdo ditë, i fundit në Vlorë ku mendohet se është infektuar një familje me 4 persona. Nëse plani do u kishte dhënë qetësinë e duhur qytetarve në këto ditë të vështira, nëse do i kishte bindur ata, ai do ishte shumë më efektiv por për shkak edhe të situatës politike, për fatin tonë të keq, Z. Rama nuk gëzon mbështetjen e gjerë në popull që kërkohet nga një kryeministër në gjëndje lufte.

Por dështimi i planit në aspektin e pritshmërisë dhe besueshmërisë, nuk është vetëm për arsye politike, ai ka disa mangësi që të bëjnë të dyshosh nëse do jetë i mjaftueshëm për të kaluar këtë krizë e cila pritet të zgjasë jo më pak se tre muaj.

Në deklaratën për shtyp, plani i paraqitur nga qeveria jep vetëm disa shifra të përgjithshme të ndihmës financiare dhe natyrisht media dhe opozita kanë kërkuar hollësi të mëtejshme mbi mënyrën dhe kushtet mbi të cilat do të shpërndahen këto fonde. Vetë gjuha e përdorur në komunikatë është e turbullt, e përgjithshme dhe nuk ka arritur të qetësojë as qytetarët as bizneset duke e detyruar qeverinë t’i japë një tjetër drejtim situatës – jo më me specialista, bashkpunim, ndihma dhe komunikim të hapur por me “forcën e ligjit” të përfaqësuar këtu nga gjobat dhe me zbritjen e ushtrisë në terren. Pohime si ky virus “i gjeti të gjithë të papërgatitur” apo “vetëm Zoti e di se sa do zgjasë” në fjalimin e kryeministrit vunë në pah një qeveri që ende nuk e njeh mirë rëndësinë e gjëndjes ku ndodhemi dhe pa një plan të saktë për të dalë nga situata. Mungesa e një proçesi politik për të miratur këtë masë ekstreme zgjoi në publik dhe një shqetësim serioz për demokracinë në vend.

Rama e cilësoi situatën si një “luftë botërore kundër një armiku të padukshëm e vrastar” por ka vënë në dispozicion vetëm rreth 400 milionë dollarë. Asnjë luftë nuk mund të fitohet me kaq para. Mendoni për shembull koston e luftës me të cilën u përballën shqiptarët në Kosovë apo në Maqedoni!

Pika e parë e planit i jep ministrisë së shëndetësisë 25 milionë dollarë, pikërisht ministrisë që për javë të tëra trumbetonte që ishte krejtësisht gati për t‘u përballur me krizën epidemike. Nuk na thuhet se për çfarë do jetë ky fond. A do paguhen puntorë shtesë në shëndetësi, a do blihen maska, a do blihen ventilatorë? Sa do kushtojnë secila? A do paguhen spitalet privatë që të ndihmojnë për krizën apo do ndërtohen të reja nga shteti? Pa këto të dhëna, dhe pa një njoftim nga ministria se çfarë mungesash ka për momentin ndihma shëndetësore, askush nga ne nuk mund të dijë nëse këto fonde mjaftojnë apo jo, për sa kohë dhe çfarë cilësie shërbimi duhet të presim. Në këtë gjendje kaq serioze, qeveria nuk mund t’ia lejojë vetes të veprojë me ketë mungesë transparence nëse kërkon – ashtu siç ka bërë – bashkpunimin e qytetarwve nw tejkalimin e krizës.

Pika e dytë e ndihmës planifikon ngritjen e një fondi kredie deri në 100 milionë dollarë për firmat që kanë “vështirësi objektive” për të paguar punonjësit. Shqetësim përbën kushti “ojektiv” që nuk jep asnjë shpjegim mbi mënyrat e aplikimit, kushtet, cilat kategori biznesesh do mund të përfitojnë, a përfshihen punonjësit që këto ditë do pushohen ose pezullohen nga puna për shkak të mbylljes së bizneseve. Nuk thotë as minimalisht çfarë quhet “vështirësi objektive” që përveçse e shkruar me një shqipe të çalë, e bën këtë pikë…subjektive.

65 milionë dollarë do jepen për shtresat në nevojë, bizneset e vogla dhe papunësinë e mundshme. Edhe këtu plani nuk na ofron asgjë konkrete. Kush cilësohet në nevojë? Sa do përfitojnë? Cilët të papunë do shpërblehen dhe me sa? Po ata që punojnë me ditë apo me orë? Ata që punojnë sipas vëllimit të punës si taksistët apo tezgat ushqimore? Studentët që punojnë me orar të pjesshëm etj? Ideja është pozitive por asnjë nga kategoritë e mësipërme nuk ka garanci që do ndihmohet nga qeveria derisa të dalin kushtet, ndaj as kjo ndihmë nuk ofron shumë qetësi.

20 milionë dollarë i jepen ministrisë së mbrojtjes pa na thënë më parë se çfarë fondesh për urgjenca ka marrë ministria në buxhetin normal të saj pra sa masa janë marrë tashmë dhe çfarë mungon. Ushtria e Republikës së Shqipërisë duhet të jetë gjithmonë e mirëbuxhetuar për kësi emergjencash. Duhet të ketë një plan veprimi të vazhdueshëm për këto raste të skajshme, rezerva, plane furnizimi, personel me kohë të plotë. Cilat masa nuk janë marrë deri më tani për të cilat po japim fonde shtesë dhe kush mban përgjegjësi për këtë papërgjegjshmëri civile?

10 milionë dollarë i jepen këshillit të ministrave për urgjenca të paprashikuara. Është e çuditshme të shohësh këtë pikë në një plan emergjence. Ky duhet të jetë një zë në çdo buxhet dhe është shumë vonë për këtë masë. Qeveria duhet të ruajë

një fond për urgjenca të paparashikuara por ne tani e kemi kaluar këtë fazë. Tashmë urgjenca është e qartë dhe përballja duhet të jetë po e qartë që të ketë efekt.

Së gjashti, qeveria do falë kamatvonesat e energjisë. Besoj askush nga ne nuk e kupton lidhjen e këtyre kamatave me virusin. Gjasat janë që personat që do përfitojnë nga falja do jenë të ndryshëm nga personat që do vuajnë nga virusi në një mënyrë apo në një tjetër. Me këtë masë, qeveria bën një padrejtësi duke u dhënë ndihmë jo domosdoshmërisht atyre që kanë nevojë dhe duke ndihmuar qytetarët që nuk e kanë respektuar kontratën dhe jo gjithë qytetarët e ndershëm që kanë paguar rregullisht.

Qeveria gjithashtu nuk do u kërkojë bizneseve tatim-fitimin për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020. Tatim-fitimin, po! A thua se problemi janë firmat që gjenerojnë fitim! Në fakt, nevojë për ndihmë kanë bizneset që po humbasin para, ata që do falimentojnë, ata që do detyrohen të pushojnë stafin. Problem nuk janë kompanitë që në këtë situatë të vështirë vazhdojnë të gjenerojnë fitime normale. Ajo taksë ndihmon më shumë nëse vazhdon të vilet dhe të përdoret për këtë fond në vend që t’u shkojë në xhep biznesmenëve që nuk po vuajnë nga pandemia.

Sigurisht, është e rëndë për të gjithë ne të shohim skena nëpër pazare apo ambiente të ndryshme ku njerëzit vazhdojnë dalin e lëvizin duke mos respektuar hapsirat e sigurisë për njëri-tjetrin për rrezikun që kjo sjell në perhapjen re virusit dhe kërcënimin për shëndetin publik. Po le ta vëmë veten për në një moment në situatën e një prindi që punon në të zezë, të një shoferi që qarkullimin e lirë e ka të vetmin burim të ardhurash etj. Si mund të kërkojë qeveria që këta njerëz të mbyllen brenda pa u dhënë asnjë garanci se ata do kenë ndihmën e plotë të saj? Si do ia dalin ata të rrinë tre apo më shumë muaj pa rrogë?

E vetmja mënyrë për ta kaluar situatën është që ne të gjithë të respektojmë udhëzimet e kryeministrit. Që njerëzit të respektojnë këto udhëzime, ata duhet të gjejnë siguri dhe mbështjetje te qeveria e tyre. Nëse mbijetesa e tyre vihet në rrezik nga karantina e qeverisë, masat e ashpra të gjobave apo të ushtrisë nuk do mund ta ndalojnë popullsinë që ta shkelë atë sepse për shumë qytetarë, humbja e punës është një kërcënim më i madh për jetën e tyre se sa virusi.

Për këtë arsye, qeveria duhet të paraqesë sa më shpejt një plan të hollësishëm ku të shpjegojë qartazi se si dhe me sa do i ndihmojë qytetarët që do humbasin punën, industritë më të rrezikuara, veçanërisht ajo e turizmit, e transporteve dhe e shërbimeve në përgjithësi. Kjo luftë nuk mund të fitohet me kërcënime dhe dhunë. Atë mund ta fitojmë vetëm në qoftë se të gjithë bashkë, bëhemi një dhe ndihmojmë të gjithë ata për të cilët ndalimi i qarkullimit është një kërcënim shumë i madh në mënyrë që ata të ndihmojnë pjesën tjetër në mospërhapjen e mëtejshme të virusit. Ky është një nga parimet bazë për tejkalimin e sfidës më të rëndë që nga lufta e pavarsisë së Kosovës me të cilën populli ynë po përballet, një sfidë që mund ta fitojmë vetëm me disiplinë, transparencë dhe mbi të gjitha, solidaritet.

Të fundit