Flash News

KRYESORE

"Plas" grushti në Delvinë; banorët kundër hapjes së gurores, përplasen fizikisht me përfaqësuesit e firmës

Situatë e tensionuar ka qenë ajo e sotmja në Delvinë, ku banorët e fshatit Bajkaj janë përplasur fizikisht me përfaqësuesit e një firme guroreje që pritet të ndërtohet në zonë, duke kundërshtuar hapur projektin.

Banorët theksojnë se nuk janë njoftuar për hapjen e këtij kantieri, pretendim ky i cili është konfirmuar edhe nga Bashkia e Delvinës, duke shtuar se ata nuk kanë firmosur në hapjen e saj.

Mësohet se, gurorja është planifikuar të hapet në një ish- zonë ushtarake 96 mijë metër katrorë në Qafën e Breshërit. Mirëpo, komuniteti lokal kërkon pezullimin e këtij projekti, pasi sipas tyre ai i sjell ndotje mjedisit.

Sot është zhvilluar edhe një dëgjesë publike mes Ministrisë së Infrastrukturës, Bashkisë Delvinë dhe firmës së gurores, por banorët e fshatit nuk kanë qenë pjesë e saj. Ata po ashtu, kanë mbledhur firmat e nevojshme për të kërkuar mos realizimin e këtij projekti.

Situata ka dalë jashtë kontrollit, aq sa policia ka bërë të mundur arrestimin e disa prej banorëve, ndërkaq deri më tani nuk është shoqëruar asnjë përfaqësues të firmës apo të ministrisë.

Të fundit