Platforma me 15 pika, Meta: Ua dorëzova më 8 prill ambasadorëve të SHBA-BE, Ramës dhe Bashës: Mora përgjigje vetëm për një pikë

Presidenti Ilir Meta ka prezantuar para mediave projekt-platformën me 15 pika ku kërkon që Këshilli Politik të jetë fuqiplotë në vendimmarrje, të përfundojnë me vendosmëri Reforma Zgjedhore, largimin e kreut të KED, Ardian Dvorani, që Kuvendi të tërhiqet nga ligji anti-shpifje etj.

Sipas Metës, platforma i është bërë e ditur ambasadorëve të SHBA, BE-së, kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha që në 8 prill, por ka marrë vetëm reflektim për pikën që ka të bëjë me zgjedhjen e kryenegociatorin për BE, Zef Mazi.

“Pas ngjarjes tronditëse të shembjes së teatrit kam bërë çdo përpjekje jo vetëm për të menaxhuar sa më mirë si shtet situatën e pandemisë, por edhe për të krijuar një klimë sa më pozitive që të mos harronim provimin e qershorit e tetorit të BE, meqë është objektiv kombëtar që të përmbushnim sa më shumë nga 15 detyrat.

Për këtë që në 8 prill i nisa këtë platformë që po e bëj sot publike, u paraqita dje ambasadorëve të BE që janë të interesuar të vazhdojë rrugën e integrimit.

Nuk kam marrë asnjë përgjigje për këtë platformë, por vetëm një reflektim për pikën 10. U shpall në 9 maj, procesi nuk u bë në atë”, tha Meta.

“Kam marrë dhe një përgjigje indirekte që do ishte mirë të bënim një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për integrimin.
Kam thënë që Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk mund të merret me çështjen e integrimit pasi merret me çështje të mbrojtës dhe sigurisë kombëtare dhe asnjëherë nuk ka diskutuar për integrimin në 30 vjet. Fokusi është në parlament”, shtoi presidenti.

Meta tha po ashtu se sic ka qenë i gatshëm për hetim ndërkombëtar për teatrin, ka kërkuar edhe hetim për situatës e reformës në drejtësi, pra si ishin ligjet të miratuara dhe si janë zbatuar.