Flash News

KRYESORE

Platforma politike e Bashës: Parlamenti me dy dhoma; presidenti nga populli dhe referendume popullore

Platforma politike e Bashës: Parlamenti me dy dhoma; presidenti nga populli

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte në qytetin e Shkodrës, ku zbuloi edhe disa risi të platformës së tij politike. Parlamenti me dy dhoma; president nga populli dhe referendume popullore ishin disa nga premtimet e tij, që do të zbatohen sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.

“Parlament me 100 deputetë të zgjedhur direkt nga populli, që përfaqësojnë drejtpërdrejtë vullnetin e qytetarëve, apo një sistem kombëtar me lista të hapura.  Një dhomë e dytë, senat, që zgjedh eminencat e elitës së mendjes dhe shpirtit shqiptar, për ti vënë fre legjislacionit që kalon me shpejtësinë e rrufesë, për të zhvatur xhepat e qytetarëve, për të cënuar dhe vjedhur pronën e tyre, apo për të avantazhuar oligarkët duke u rikthyer dividentin, siç ndodhi në dhjetor të vitit të kaluar.   Një president që të ketë kompetenca të mjaftueshme për të kontrolluar zbatimin e Kushtetutës, pse jo një President të zgjedhur nga populli. Referendume qytetare, kombëtare e lokale, për të gjitha çështjet e rëndësishme që prekin drejtpërdrejtë shëndetin, sigurinë, lirinë, pronën dhe ambientin”, deklaroi ai.

Duke folur para 200 të rinjve të anëtarësuar së fundmi në Partinë Demokratike, Basha u sqaroi se beteja e opozitë është për ti dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur 29-vjeçar në vend.

“Të gjitha këto, janë dhe do të jenë pjesë e dialogut të vërtetë me shqiptarët, dhe do të miratohen vetëm kur shqiptarët ti vulosin me votën e tyre. Por vota e lirë sot, është me kërcënuar se kurrë në këto 29 vite, ndaj beteja për votën e lirë, është betejë për lirinë e çdo shqiptari. Është betejë kundër mjerimit. Sepse ishte asgjësimi i votës që solli asgjësimin e qeverisjes llogaridhënëse. Ishte asgjësimi i votës që asgjësoi transparencën, që kapi Prokurorin e Përgjithshëm, Prokurorin e Krimeve të Rënda, kapi drejtësinë, kapi institucionet, kapi media. Ishte asgjësimi i votës së lirë, që çoi në vjedhjet më gjigante të shqiptarëve në këtë shekull. Pa votën e lirë, Shqipëria nuk do të bëjë përpara. Pa votën e lirë, dyert e Europës do të mbeten të mbyllura”, theksoi Basha.

Të fundit