Flash News

KRYESORE

“Platformë rebele për reformimin e Akademisë”, Artan Fuga i përgjigjet Ramës: E pranoj sfidën, Ministria e Arsimit e shkeli me këmbë

“Platformë rebele për reformimin e Akademisë”, Artan

Akademiku Artan Fuga i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, kur një ditë më parë në Akademinë e Shkencave, i cili tha se ka parë lëvizje për reformimin e këtij institucioni.

Ai tha se duhen shqyrtuar dy platformat e paraqitura deri tani, atë të profesor Skënder Gjinushi dhe platformën alternative të propozuar nga Artan Fuga, që sipas Ramës është një platformë rebele.

Fuga i është përgjigjur kryeministrit, duke u shprehur se e pranon këtë sfidë, edhe i vetëm nëse do të ihste e nevojshme.

“Unë e pranoj sfidën. Rebelohem sepse kam të drejtë!

Platforma ime për reformimin e akademisë të shkencave, e quajtur sot nga z. Kryeministër, si platformë rebelë, është minoritare në akademinë e shkencave, është e censuruar, e shkelur me këmbë në mënyrë totalitare atje, e keqtrajtuar nga ministria e arsimit që është bërë palë me ose pa dashje me përgjegjësit e rrënimit të Akademisë të Shkencave, por jam i bindur se platforma që propozoj do të ketë përkrahjen e komunitetit shkencor të vendit.

Po, është platformë që ngre krye ndaj dokumenteve të vjetruar që ka prodhuar grupi i punës i ministrisë të arsimit.

Unë do ta çoj betejën deri në fund qoftë dhe i vetëm, edhe kundër interesave të mia personale dhe pa u ndaluar asnjë sekondë.

E falënderoj gjithsesi z. Edi Rama që pranoi të rikthejë mbrapsht një projektligj që tashmë ministria e arsimit e kishte pranuar si version i vetëm me procedura totalitare dhe të mbrapshta, me të cilat pastaj nuk votohen veçse ligje të këqij.

Beteja vazhdon!”, shkruan Fuga.

Pjesë nga fjalimi i Ramës:

Unë ju kërkoj ndjesë dhe leje që të mos bëj kurrsesi njeriun që shfrytëzon mundësinë e postit të lartë, për të predikuar mbi veprat dhe mbi cilësitë e tyre, pasi s’është kjo as detyra, po, mbi të gjitha, as aftësia ime, por ta shfrytëzoj këtë moment komunikimi për të shprehur një lloj kënaqësie të moderuar lidhur me faktin që sot jemi në një fazë kur mund të shikojmë dritë në fund të tunelit përsa i përket reformimit të Akademisë së Shkencave.

Më në fund, gjërat dhe forcat u vunë në një lëvize, të vonuar për shumë e shumë vite dhe më vjen shumë mirë që, sot që flasim, jemi përballë një pune të kryer me zell dhe me përgjegjësi nga grupi i ngritur për të propozuar këtë reformë, nën drejtimin e Profesor Gjinushit, por edhe përballë një platforme alternative, të propozuar nga Profesor Artan Fuga. Nëse do të qëndronim strikt proceduarialisht në raport me tekstin e reformës, atëherë do duhej që të falënderonim Profesor Artan Fugën për kontributin e tij, po të ecnim përpara, pa u ndalur asnjë sekondë, me tekstin e sjellë nga grupi i punës. Mirëpo ajo që ne na duket më e arsyeshme është që të ndalemi një sekondë.

Ne do të bëjmë jo gjithçka duam, por gjithçka mundemi, sado që të mundemi, me të gjithë dëshirën dhe me të gjithë vullnetin për ta lehtësuar rrugën e vështirë të kërkuesve shkencorë. Por ajo çka na duhet është që kërkuesit e vërtetë shkencorë të kenë vendin që u takon e këtë mund ta garantojë reforma e Akademisë së Shkencave, në radhë të parë dhe një funksionim tjetër, krejt ndryshe, i Akademisë së Shkencave në shërbim të atyre që janë kërkuesit dhe jo mashtruesit shkencorë dhe që pastaj do të tërheqin pas vetes e më të rinj e të reja që do të mund t’i përkushtohen kërkimit shkencor, duke parë që kërkimi shkencor dhe kërkuesit shkencorë respektohen me të vërtetë brenda mundësive që janë.

Të fundit