Flash News

KRYESORE

‘Plazhi i lirë’ procedon drejtorin e Tatimeve dhe 3 inspektorë, lirohen 3600 m2 në Himarë, Pogradec e Durrës

‘Plazhi i lirë’ procedon drejtorin e Tatimeve dhe 3

Aksioni ‘Plazh i lirë’ ka vijuar me lirimin e të tjera sipërfaqeve të zaptuara në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare.

Këtë herë janë liruar 3600 m2 plazh i zaptuar në Himarë, Pogradec dhe Durrës, si dhe janë proceduar penalisht Drejtori i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë dhe 3 inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec.

Po ashtu, procedohen penalisht edhe 5 administratorë subjektesh.

Njoftimi i plotë:

Policia e Vlorës liron  një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë - Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo.  Në total lirohen 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.

Procedohen 4 administratorë subjektesh për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" "Moslëshimi i kuponit tatimor" dhe "Pushtimi i tokës".

Procedohet penalisht edhe një zyrtar në Bashkinë e Himarës.

Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit  Ekonomik e Financiar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e FNSH Fier, kanë ushtruar kontrolle në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit përgjatë plazhit të Himarës (Gjipe, Potam dhe Qeparo). Nga ky kontroll rezultoi se 4 subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm  në shfrytëzimin e "Stacionit të plazhit" pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Himarë. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit Ll. Sh., M.Dh., F.B. dhe A.Z., me detyrë administratorë të këtyre subjekteve.

Po gjatë operacionit,  Policia procedoi penalisht për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", shtetasin L.M (Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë) pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, duke mos vepruar në funksion me detyrën e tij.

-Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit:  G.L,  A.P, dhe E.B, banues në Pogradec, (të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec), pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.

-Në vijim të operacionit, në Durrës tek shkëmbi i Kavajës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan  rreth 160 shezlongë në administrim nga shtetasja D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. U procedua penalisht shtetasja D.D për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mospagimi i taksave dhe tatimeve".

Operacioni po vijon çdo ditë me shtrirje në gjithë zonat bregdetare në territorin e Republikës së Shqipërisë.

[video width="1280" height="720" mp4="https://cdnimpuls.com/politiko.al/uploads/2019/08/WhatsApp-Video-2019-08-09-at-09.30.27.mp4"][/video]

Të fundit