Flash News

KRYESORE

Plehrat e Shqipërisë në bregdetin kroat, ministrja e Jashtme: Shqiptarët nuk janë të fokusuar te ambienti, por do kenë shumë punë kur të hapen negociatat

Plehrat e Shqipërisë në bregdetin kroat, ministrja e Jashtme:

Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, ministrja e Jashtme e Kroacisë, Marija Pejcinovic Buric ngriti shqetësimin e ndotjes së bregdetit kroat nga plehrat që përfundojnë në det nga lumenjtë e Shqipërisë.

Buric njoftoi nënshkrimin e një projekti midis dy vendeve në bashkëpunim me UNDP-në dhe një prej çështjeve që do të ketë në fokus është pikërisht menaxhimi i mbetjeve dhe mbrojtja e ambientit. Ministja kroate theksoi se për vendin e saj është shumë e rëndësishme pastërtia e plazheve pasi turizmi përbën një pjesë kryesore të GDP-së së vendit.

Ajo tha se shoqëria shqiptare për momentin nuk është e fokusuar në këtë çështje, por me hapjen e negociatave do të ketë shumë punë.  

“Në fakt, projekti që sapo firmosëm do të kryhet me UNDP-në në Shqipëri. Ka për qellim që të shënojë disa objektiva njëkohësisht. Së pari, të ndihmojë në mbrojtjen e ambientit në fushën e detarisë sepse herë pas herë vihet re që ka ndotje të zonës së detit nga jugu në brigjet e Kroacisë. Duke pasur parasysh, ajo që është avantazhi ynë në lidhje me industrinë e turizmit është pikërisht pastërtia e ambienteve të plazheve tona dhe ne duam t’a ruajmë këtë gjë. Sigurisht menaxhimi i ndotjes dhe mbrojtjes se ambientit është një zonë ku ndoshta për momentin shoqëria shqiptare nuk është shumë e fokusuar. Do t’ju siguroja ama se, kur ne filluam negociatat, kjo fushë ishte pjesa më e gjatë ku Kroacia duhet të përmbushte të gjitha kërkesat gjatë periudhës tranzitore. Për mbrojten e ujit për shembull, ku ne bëmë shumë investime, ne jemi aktivë edhe në Shqipëri nëpërmjet një projekti për këtë fushë ose do të ndihmojmë në këtë fushë. Mbrojtja e ujit ka nevojë për investime më të mëdha. Sa më shpejt të punoni mbi këtë fushë, aq më shpejt do të jeni të gatshëm. Është avantazh për të gjithë, jo vetëm ambienti apo uji i pastër, por i jep edhe një shtysë pozitive industrisë së turizmit”, tha Buriç.

Zagrebi e ka ngritur edhe më parë shqetësimin për ndotjen që vjen nga lumenjtë shqiptarë. Kroacia është kthyer dekadën e fundit në destinacion kryesor turistikë për njerëz nga e gjithë bota.

Të fundit