Flash News

KRYESORE

Plotësimi i kushteve për integrimin, ambasadori gjerman mesazh klasës politike shqiptare: Topi vazhdon ende në fushën tuaj

Plotësimi i kushteve për integrimin, ambasadori gjerman mesazh

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf i ka përçuar një mesazh konkret palës politike shqiptare, duke thënë se “topi vazhdon ende të jetë në fushën e tyre”, sa i takon përmbushjes së kushteve të  kërkuara nga BE-ja dhe Bundestag-u gjerman para Konferencës së Parë Ndërqeveritare të BE në rrugën e integrimit.

“Më gëzon fakti që aktorët e politikës shqiptare kanë gjetur një konsensus të parë lidhur me Kodin Zgjedhor. Tani fjala është të bëhet përpara me zbatimin e masave të dakordësuara. Krahas reformës zgjedhore një element i rëndësishëm në këndvështrimin gjerman është funksionaliteti i Gjykatës së Lartë dhe i Gjykatës Kushtetuese, që janë esenciale për vendin dhe bëjnë pjesë në grupin e kushteve që duhet të përmbushen përpara realizimit të Konferencës së Parë të Anëtarësimit. Uroj që në këtë drejtim të bëhet progres i shpejtë. Thënë shkurt, topi aktualisht vazhdon të jetë ende në fushën e palës shqiptare”, u shpreh Zingraf për DW.

I pyetur se ç’mendon për Reformën Zgjedhore, ku administrimi i procesit zgjedhor mbeti politik, si një nga rekomandimet kryesore  të OSBE /ODIHR-it që nuk u zbatua dhe u shty të zbatohet në proceset zgjedhore  pas 2021, ambasadori tha se dakordësia e Këshillit Politik për elemente të reformës zgjedhore ishte një shenjë nxitjeje dhe inkurajimi në rrugën e Shqipërisë drejt BE.

“Zbatimi i dakordësisë dhe debatet për ndryshime të mëtejshme në fakt nuk janë përmbyllur, ato vijojnë ende. E rëndësishme këtu është që rekomandimet e OSBE/ODIHR të shihen si linja orientuese. Në të njëjtën kohë rëndësi ka edhe progresi që do të bëhet në sqarimin e akuzave për mashtrim zgjedhor dhe blerje votash në zgjedhjet e kaluara”, tha Zingraf.

Ai foli edhe për procesin e emërimeve të Gjykatësve Kushtetues, që prej më shumë se dy vitesh në Shqipëri nuk funksionon bashkë me Gjykatën e Lartë.

“Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të gjykatësve kushtetues, në fakt është kompleks. Por ai është një proces i rëndësishëm dhe i duhuri, pasi Gjykata e ardhshme Kushtetuese do të duhet të vendosë për çështje të rëndësishme dhe autoritetin për këtë mund ta ketë vetëm një trupë e pavarur vendimmarrëse. Rrugën e tregon opinioni i Komisionit të Venecias: Institucionet e drejtësisë dhe ato kushtetuese të përfshira në këtë proces duhet të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në mënyrë që së shpejti të shënohet progres”, tha Zingraf.

 

Të fundit