Flash News

KRYESORE

"Po goditet në kokë oktapodi i korrupsionit", Basha i përgjigjet Ramës:Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron politikanët e lidhur me krimin

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, lidhur me akuzat e opozitës se ai po udhëheq procesin e vetingut.

Rama shprehet se me procesin e vetingut po goditet korrupsioni degjenerues në sistemin e drejtësisë.

Sipas kryeministrit, korrupsioni në drejtësi po vijon të marrë goditje në kokë por pas çdo goditje është opozita ajo që hidhet përpjetë.

Ndërkohë sot PD denoncoi sërish konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, të cilin e akuzon si "shërbëtori i Edi Ramës  në Gjykatën e Lartë", dhe "simboli i persekutorit politik të diktaturës  në sistemin e ri të drejtësisë. "

Statusi i plotë:

“Vetingu vijon të godasë me sukses në kokë oktapodhin e korrupsionit degjenerues në drejtësi. Po për fatkeqësinë e zgjedhësve të saj që e mbështesin Vetingun, njësoj si gjithë qytetarët, e për turpin e saj më të madh, opozita hidhet përpjetë pas çdo goditje”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkohë nuk ka munguar as reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, cili është shprehur se Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin.

Basha gjithashtu ka theksuar se Ramës i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e veta dhe të krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.

Statusi i plotë i Bashës:

Edi Rama është Koka e Oktapodit të Drejtësisë që mbron dhe nuk ndëshkon politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. Për të mbrojtur Tahirin, Xhafën, Roshin, Frrokun, Dakon, Sejdinin, Ahmetajn dhe Gjiknurin me shokë, Edi Rama kapi Prokurorin e Përgjithshëm dhe zhduku Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Tani Edi Rama po mbron nga vetingu gjyqtarët e korruptuar si Toska, Dvorani dhe Faqolli, si shpërblim për dosjet që mbyllën dhe si kapar për dosjet që duhen mbyllur.

Sa herë PD denoncon me fakte konfirmimin në detyrë në kundërshtim me ligjin e Vettingut të shërbëtorit të Edi Ramës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, Edi Rama, reagon me akuza të dala boje kundër opozitës.

Vettingu i kontrolluar politikisht prej Ramës, ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, pavarësisht rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për shkarkimin e tyre. Ndaj atij i ka rënë maska dhe tregohet botërisht me gisht si njeriu që mbron korrupsionin në drejtësi, për të mbrojtur interesat e veta dhe të krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.

Të fundit