Flash News

KRYESORE

“Po shtyn shqiptarët drejt konfliktit social”, PD: Ndalesa e pagesës së qirave është antikushtetuese

“Po shtyn shqiptarët drejt konfliktit social”, PD: Ndalesa e

Partia Demokartike mbajti një qëndrim zyrtar ndaj aktit të pritshëm të qeverisë për të ndaluar pagesat e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura. PD këtë e quan një vepër të turpshme dhe antikushtetuese. “Nisma e tij për të ndaluar pagesën e qirasë nga qiramarrësit e bizneseve të mbyllura është një vepër e turpshme që mëton të ndajë shqiptarët.  Ky është një vendim antikushtetues, i padrejtë dhe i rrezikshëm”, shprehet PD.

Selia Blu e krahason këtë me refuzimin e qeverisë për të anulluar koncensionet, që sipas PD “Rama po mbron oligarkët”. “Njeriu që nuk pranon të anullojë kontratat koncesionare ku palë është qeveria, por shpall anullimin e kontratave ku palë janë subjekte private, është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie.  Për të mbrojtur oligarkët, për të mbrojtur paratë e vjedhura, Edi Rama ka braktisur qytetarët dhe bizneset dhe tani po mundohet që t’i përplasë ata me njëri-tjetrin”, shkruan Partia Demokartike.

Më tej, në deklaratën e opozitës arsyetohen dhe dëmet që mund të shkaktojë ky vendim i pritshëm i qeverisë. “Në Shqipërinë e varfëruar, shumë qytetarë jetojnë me qiratë  që marrin, një pjesë tjetër paguajnë shpenzimet e tyre me qiratë dhe një grup tjetër paguajnë këstet e kredive me to. Mospagesat e qirasë  do të ulin jo vetëm të ardhurat për qiradhënësit, por gjithnjë e më shumë shqiptarë nuk do të kenë aftësi paguese. Ekonomia në vend do të goditet akoma më keq në zinxhirin e konsumit. Dhe kjo vetëm do të shtojë varfërine dhe numrin e të varfërve”, thuhet në deklaratë.

Opozita shkon më tej duke u shprehur se qeveria duhet të paguajë 50% të qirasë për bizneset e mbyllura, duket marrë si shembull Kosovën. “Një qeveri e përgjegjshme duhet të gjejë burimet e nevojshme për të mbështetur bizneset e vogla përmes heqjes apo pezullimit të përkohshëm të taksave. Likuiditeti i parave do të përdorej për të paguar një qira që mund të rinegociohej mes palëve. Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të ndërhyjë duke siguruar pagesën e 50% të qirasë për bizneset e mbyllura, siç po ndodh në Kosovë. Do të siguronte ndihmë ekonomike duke paguar një pjesë të rrogës së këtyre punonjësve siç bën Kosova”, thuhet në deklartën e Partisë Demokrtike.

Ndërkohë, PD thotë se Rama nuk pranon të heq dorë nga projektet korruptive të PPP-ve, qoftë dhe vetëm për një vit, pasi sipas opozitës, kryeministri ka zgjedhur oligarkët dhe jo shqiptarët. “Në buxhetin e shtetit janë sot 120 mln euro të destinuara për projektet korruptive të PPP-ve, janë mbi 50 mln euro në formë tenderash të dyshimtë që ju janë dhënë të klientëve të përhershëm. Edi Rama nuk pranon që të heqë dorë nga këto kontrata, së paku për një afat një vjeçar. Kryeministri nuk pranon që të sakrifikojë aferën e 120 mln eurove nga buxheti i shqiptarëve.  Mes shqiptarëve dhe oligarkëve Edi Rama ka zgjedhur këta të fundit, edhe në kushtet e tmerrshme në të cilën ndodhet vendi sot”.

Madje, opozita e she këtë si nxitje të përplasjes sociale mes qytetarëve. “Prandaj ka vendosur ti hedhë kundër njëri tjetrit shqiptarët, që t’i shtyjë ata në një konflikt social dhe të shmangë përgjegjësinë e tij dhe detyrimin e tij ligjor për t’iu përgjigjur me fonde, detyrimeve për qeverinë që i përcakton qartë Ligji i Emergjencave. Sepse Edi Rama e ka për detyrim ligjor në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Fatkeqësinë Natyrore që të dëmshpërblejë çdo humbje të qytetarëve dhe bizneseve. Kjo nuk është në dëshirën e tij, ky është detyrim që rrjedh nga Kushtetuta e Shqipërisë, thuhet në deklaratën e PD.

Të fundit