Flash News

KRYESORE

“Po sulmohen, përgjohen dhe po merren peng kandidatët”, në çfarë kushtesh kërkon të hyjë në zgjedhje Astrit Patozi?

“Po sulmohen, përgjohen dhe po merren peng kandidatët”,

Drejtuesi i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar pas vendimit të disa kandidatëve për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në reagim, Patozi thotë se nuk ka “asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit.”

Patozi flet për sulme, përgjime dhe pengmarrje të kandidatëve të BD-së, të cilët më pas kanë pranuar të tërhiqen nga gara. Nëse pretendimet e tij rezultojnë të vërteta, a është normale që zgjedhjet të zhvillohen në këto kushte?

Astrit Patozi thotë se kërkon të hyjë në zgjedhjet e 30 qershorit për të luftuar këtë sistem, por nëpërmjet kësaj rruge ai nuk po garanton dot as garën për kandidatët e tij. A mund ta luftojë dhe ta përmbysë Patozi sistemin kur kandidatët e BD-së, siç ai pretendon, sulmohen, përgjohen dhe merren peng?

Opozita ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet pikërisht sepse e sheh të pamundur garën e barabartë. Zyrtarët e saj flasin për ndërhyrje të krimit të organizuar jo vetëm në blerjen dhe manipulimin e votave, por edhe në kërcënimin ndaj qytetarëve dhe kandidatëve, probleme dhe shqetësime të cilat Patozi duket se po i ndjen tani si drejtues i Bindjes Demokratike.

Kërkesa e opozitës është krijimi i një Qeverie tranzitore që, sipas tyre, do të bëjë të mundur shkëputjen e krimit të organizuar nga institucionet shtetërore dhe nga ndërhyrja në zgjedhje. Ajo e sheh të pamundur zhvillimin e një procesi normal zgjedhor për sa kohë kryeministër është Edi Rama.

Këto denoncime që Patozi i bën sot nga pozitat drejtuese të një partite të vogël opozitare, janë bërë që pas vitit 2013-të, kur në Lezhë dorëhiqeshin kandidatet gra të Partisë Socialiste për t’i hapur rrugë ‘të fortëve’ të partisë. Këto probleme nuk u shuan as në zgjedhjet e 2017-ës, kur janë raportuar për marrjen e kartave të identitetit të qytetarëve nga ‘të fortët’ që i konsideronin ata si pjesë ‘të palës tjetër’, duke u mohuar të drejtën themelore për të votuar.

Reagimi i Astrit Patozit nuk tregon asgjë të re, por vetëm sa forcon akuzat dhe pretendimet e opozitës se në këto kushte është e pamundur zhvillimi i zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Të fundit