Flash News

KRYESORE

"Poker" kuqezi në Moldavi, kjo Shqipëri po ngre kokën!

Optimizëm, cilësi, organizim, besim, uri, rikthim. Kjo është Shqipëria që pamë këtë të hënë në Moldavi, drejtuar nga Edy Reja. Kuqezinjtë dolën kryelartë nga Kishinjevi duke fituar 4-0, një rezultat i jashtëzakonshëm për një kombëtare modeste si e jona.

Pas humbjes me Turqinë, kombëtarja shqiptare rigjeti forcat për të marrë një fitore të madhe ndaj Moldavisë me tre gola në pjesën e parë dhe një në fund të pjesës së dytë. Cikalleshi, Bare dhe Trashi treguan që në fillim me golat e tyre se ndeshja do të ishte spektakolare, me plot gola dhe raste, ndjekur në fund nga një finte plot klas nga Manaj, i cili kompletoi "pokerin" kuqezi.

Moldavët u duk qartë se nuk ishin në nivelin e duhur, madje në disa raste u dukën amatorë me lëvizjet e tyre. Kuqezinjtë shfrytëzuan këtë mundësi unike dhe dhanë sinjalet e para të ringjalljes pas asaj Shqipërie fantastike që kemi përjetuar në Euro 2016.

Kualifikueset e Euro 2020 nuk kanë mbaruar akoma. Ne vërtet nuk mund ta shohim veten me siguri të plotë në turneun më të madh të kontinentit, por performanca të tilla na shtojnë shpresat për një kombëtare të fortë dhe të denjë. Faleminderit, djema!

Të fundit