Flash News

KRYESORE

Policia dhe bashkia shkelin privatësinë e qytetarëve. Zbulojnë se Saimir Tahiri dhe Lindita Nikolla nuk paguajnë gjobat e makinave

Në Tiranë janë vendosur disa terminale të quajtura “Pay and Go”, ku mund të kryhen pagesa në kohë reale, pa qenë nevoja për t’u paraqitur në dyqane apo sportele të ndryshme. Këto terminale të vogla të vendosura në çdo cep të Tiranës me lejen e bashkisë, janë një mundësi e mirë për t’i shpëtuar radhëve të gjata apo gjetjes së një dyqani në orët e vona të natës.

Nëpërmjet “Pay and Go” mund të mësosh nëse ke ndonjë gjobë të papaguar dhe madje mund ta paguash atë menjëherë. Por pikërisht këtu shfaqet edhe problemi sepse gjobat e makinave mund të kontrollohen nga kushdo, mjafton vetëm numri i targës.

Policia dhe bashkia kanë futur të dhënat në këtë sistem duke shkelur hapur privacinë e qytetarëve. “Pay and Go” nuk ka asnjë filtër për personat që hyjnë dhe kërkojnë për gjobat. Për të parë nëse një makinë (edhe nëse nuk është e jotja) ka ndonjë gjobë të mbartur, nuk kërkohet emër, atësi dhe mbiemër e pronarit të makinës, por mjafton targa dhe të dhënat bëhen menjëherë publike, raporton Politiko.al.

Në sistem, emri i pronarit të makinës mbulohet, duke lënë publike vetëm inicialet, por jo lloji i makinës, data e gjobës dhe vendi ku është marrë kjo gjobë, të cilat mund të lexohen.

Aty mund të kontrollosh gjobat e makinave të qytetarëve të thjeshtë, por edhe të biznesmenëve të fuqishëm, politikanëve dhe familjarëve të tyre.

Për të treguar më qartë që ky vendim i bashkisë dhe policisë shkel privatësinë e qytetarëve, ne te ‘Politiko’ vendosëm të shkelim privatësinë e disa politikanëve, të cilët konsiderohen rëndom si "të paprekshëm" në Shqipëri dhe jo njësoj të barabartë përpara ligjit. Nga grupi i emrave që kontrolluam, rezultojnë se gjoba të papaguara kanë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, sot deputet i Partisë Socialiste, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Makina ‘Mercedez-Benz’ me targë ‘TR0022Z’ që Topalli ka përdorur të paktën edhe gjatë kohës që ishte deputete e Partisë Demokratike, në legjislaturën e kaluar, rezulton se ka dy gjoba të papaguara. Makina e përdorur nga Topalli është gjobitur 13 shkurt të 2018-ës dhe 3 mars të 2018-ës. Gjoba me vlerë 10 mijë lekë të vjetra që nuk janë shlyer ende.

Makina e llojit “Hyundai” me targë ‘AA421GG’ brenda së cilës Saimir Tahiri lëshoi paralajmërimin e fortë “nuk keni parë gjë akoma”, kur sapo kishte shpërthyer skandali i Habilajve, rezulton gjithashtu me dy gjoba të papaguara. Makina e përdorur nga ish-ministri i Brendshëm është gjobitur me nga 10 mijë lekë të vjetra më 31 janar të 2018-ës dhe 10 shkurt të 2018-ës.

Me problematike paraqitet situata për Lindita Nikollën, ministre e Arsimit, e cila rezulton se ka tre gjoba të papaguara të makinës së saj ‘Volkswagen’ me targë ‘TR0144Z’. Presoni që harton politikat për edukimin e shqiptarëve ka dy vite që nuk i paguan gjobat. Makina që përdoret nga Nikolla është gjobitur më 11 mars të 2016-ës, 22 korrik të 2016-ës dhe 14 tetor të 2016-ës me nga 10 mijë lekë të vjetra. Numri i gjobave dhe vjetërsia e tyre mjaftojnë që makina e ministres të bllokohet nga policia, por mesa duket mburojë i është bërë statusi që ajo ka.

Një tjetër detaj interesant që zbulohet nga policia dhe bashkia është se asnjë nga tre këta politikanë, por edhe të tjerë që nuk rezultonin të kishin gjoba, nuk i kanë makinat të regjistruara në emrat e tyre, por të personave të ndryshëm. Ky fakt ndoshta mjafton për të kuptuar dhe për të hetuar nëse kemi të bëjmë me fshehje të pasurisë nga ana politikanëve, gjithsesi, kjo meriton të trajtohet në një lajm tjetër./Politiko.al

Të fundit