Flash News

KRYESORE

Policia hedh poshtë lajmin e survejimit: Basha nuk ndiqet, spekulim mediatik me qëllime të mbrapshta

Policia hedh poshtë lajmin e survejimit: Basha nuk ndiqet, spekulim

Policia e Shtetit, me anë të një deklarate për mediat, e ka përgënjeshtruar lajmin e gazetës ‘Panorama’, sipas së cilës shefi i opozitës, Lulzim Basha, survejohet nga strukturat e Policisë. Deklarata e quan lajmin e gazetës një spekulim me qëllime të mbrapshta duke hedhur poshtë mundësinë  e një përgjimi për kryetarin e PD apo familjarët e tij.

Sipas Policisë, lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga një redaksi serioze.

Pas qarkullimit të lajmit, kryetari i PD ka thirrur në një takim grupin parlamentar dhe krerët e partisë.

Deklarata e plotë e Policisë së Shtetit:

Lidhur me shkrimin e botuar në gazetën “Panorama”, të datës 1 qershor 2018, me titull “Hije skandali, Policia mban në survejim familjen Basha”, sqarojmë se:

Nuk është aspak e vërtetë që familja e z.Lulzim Basha, kryetar i PD-së, apo familjarë të tij, të mbahen nën vëzhgim nga forca policore.

Përmbajtja e shkrimit është tërësisht një spekulim  mediatik me synim mashtrimin dhe keqinformimin e opinionit publik për qëllime që i gjykojmë të mbrapshta. Me keqardhje konstatojmë se lajmi në fjalë duket i fabrikuar nga zyrat e një partie politike dhe jo nga redaksi serioze.

Informimi i publikut rreth veprimtarisë së institucioneve të shtetit është një e drejtë e garantuar me ligj, prandaj nëse dikush do të kishte interes rreth së vërtetës, do ta merrte informacionin lehtësisht në rrugë zyrtare.

Fakti që asnjë nga institucionet e përmendura nuk është kontaktuar nga media në fjalë, na krijon dyshimin se në këtë rast kemi të bëjmë me keqpërdorim flagrant të një gazete nga ana e politikës.

Me këtë rast theksojmë se z.Basha përfiton nga statusi si kryetar i opozitës, masa shtesë dhe shoqërohet nga forca të Gardës së Republikës.

Por nuk ka në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, monitorim survejues të tij nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Duke vlerësuar rolin e medias, Policia e Shtetit është e gatshme për t’iu përgjigjur çdo çështjeje me interes publik, në funksion të mirinformimit të qytetarëve.

Të fundit