Flash News

KRYESORE

Policia shoqëron në komisariat 11 banorët që protestuan për lulishten

Policia shoqëron në komisariat 11 banorët që protestuan

Policia ka shoqëruar 11 prej protestuesve, të cilët ditën e parë kanë tentuar të rrëzojnë murin rrethues që ka ngritur firma që tashmë ka nisur punimet, ndërsa ditën e dytë të protestës kanë kundërshtuar forcat e rendit dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve.

Ditën e premte, shërbimet e Komisariatit nr.2 shoqëruan 6 persona, ndaj të cilëve nisi procedim penal në gjendje të lirë. Policia tha se ka referuar materialet në Prokurori për shtetasit, P.B., 64 vjeç, T.B., 39 vjeç, A.H., 44 vjeç, Xh.R, 48 vjeç, A.H., 41 vjeç, dhe A.B., 60 vjeç. Sipas Policisë, këta persona dyshohet se në rrugën “Sali Butka”, së bashku me disa persona të tjerë ende të paidentifikuar (banorë të lagjes), janë ngritur në protestë dhe kanë dëmtuar murin rrethues të ndërtuar nga firma

“Arlis Sh.p.k”, në pronësi të Armand Lilos. Banorët kërkojnë që trualli duhet të shërbejë si park për lojëra fëmijësh. Ndërsa të shtunën, në ditën e dytë të protestës, Policia shoqëroi e nisi procedim penal për 5 persona të tjerë. Mësohet se janë marrë në hetim shtetasit me iniciale, K.H., 21 vjeç, E.P., 19 vjeç, E.H., 33 vjeç, B.L., 24 vjeç, dhe A.Q., 36 vjeç.

Policia tha se këta persona kanë organizuar një protestë të paligjshme për punimet me leje të një firme ndërtuese, duke penguar lëvizjen e mjeteve dhe për shkak të detyrës nuk u janë bindur urdhrave të punonjësve të policisë së rendit për të liruar rrugën. KOMPANIA E NDERTIMIT Duke iu përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës se Veliaj po betonizon Tiranën, firma e ndërtimit që ka nisur punimet te parku pranë Policisë Bashkiake ka sqaruar se lejen e ndërtimit e ka marrë në vitin 2013. Sipas firmës, leja ishte dhënë pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, kohë kur Bashkinë e drejtonte Lulzim Basha. Sipas firmës “Arlis shpk”, në atë kohë kunati i ish-kreut të Bashkisë i kërkoi firmës që një pjesë të tokës t’ia kalonte atij dhe pas refuzimit Bashkia e ktheu të gjithën në lulishte.

Jemi njohur deklaratën e z.Basha, ishkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe autor i Planit Vendor 2013 që parashikon zhvillimin e pronës tonë private në Rrugën e Kavajës. Hapësira në fjalë është pronë private e familjes Nela dhe e një subjekti privat, i cili ka aplikuar për leje ndërtimi sipas ligjit në Bashkinë e Tiranës. Leja në fjalë është lëshuar në bazë të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës i miratuar në vitin 2013 nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Plani i asaj kohe parashikonte ndërtime banimi dhe shërbimesh në këtë hapësirë”, thuhet në deklaratën e firmës së ndërtimit. Gjithashtu, kompania sqaron se procedura është ndjekur nga subjekti përgjatë vitit të kaluar, kur në fuqi ishte ende plani urbanistik i hartuar nga Lulzim Basha. ETLEVA DELIA/PANORAMA

Të fundit