Flash News

KRYESORE

Politika e jashtme e Edi Ramës pa ‘shtyllë kurrizore’; kryeministri ‘kapërdin’ fjalët e tij dhe bëhet pjesë e konferencës ku do dënohet votimi në OKB

Politika e jashtme e Edi Ramës pa ‘shtyllë kurrizore’;

Kryeministri Edi Rama ka arritur të sigurojë një vend në Konferencën vjetore të Komitetit të Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite (AIPAC), që do të mbahet në Uashington të SHBA-së në datat 4-6 mars 2018.

Rama do të jetë një prej dhjetëra folësve në këtë aktivitet, megjithatë, nuk mungojnë as figura të njohura dhe me rëndësi si zv/presidenti amerikan, Mike Pence, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti i Ganës, ambasadorët e SHBA dhe Izraelit në OKB, senatorët Tom Coton, Robert Menendez, Marco Rubio, ministrat e Jashtëm të Togos dhe Estonisë, ambasadorët e Lituanisë, Estonisë, Letonisë dhe Azerbajxhanit në Uashington, ish-ministri i Jashtëm i Kanadasë, kongresmeni Eliot Engel, ish-ndihmës sekretarja Victoria Nuland, etj.

Siç e tregon edhe lista e pjesëmarrësve, nuk përbën shqetësim që kryeministri i Shqipërisë merr pjesë në këtë konferencë të organizuar nga lobi më i fuqishëm në SHBA, ku do të flasin edhe liderët e dy vendeve mike dhe partnere si SHBA dhe Izraeli. Problemi qëndron te mungesa e qartësisë së politikës së jashtme të Shqipërisë nën drejtimin e Edi Ramës.

Kur votoi në OKB kundër atyre që pasnesër do i ketë përballë (izraelitëve dhe amerikanëve), Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaruan se vendimi ishte në përputhje me linjën e mbajtur nga Bashkimi Europian dhe se me hapjen e negociatave Tirana duhet të njëhësojë politikën e jashtme me Brukselin.

Por agjenda e “AIPAC” ku Rama do të mbajë fjalimin e tij, është e ndërtuar totalisht në kundërshtim me qëndrimet e BE-së, raporton Politiko.al.

Folësit në këtë konferencë do të kërkojnë një rinegociim të marrëveshjes nukleare me Iranin, vendim që është kundërshtuar ashpër nga Përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini dhe drejtuesit e qeverive në Francë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Gjithashtu, “AIPAC” do të kërkojë shtimin e sanksioneve ndaj Republikës Islamike, nismë që sërish kundërshtohet nga Brukseli dhe Teherani.

Një tjetër objektiv i kësaj konference është aksioni kundër organizatës palestineze “BDS” dhe sanksioneve që vendosen ndaj kompanive që bashkëpunojnë me Izraelin në ndërtimin e vendbanimeve hebreje në territoret palestineze. Në votimin në OKB dhe Konferencës Islamike, ku Shqipëria iu bashkua qëndrimit kundër SHBA-së dhe Izraelit, ndërtimi i vendbanimeve izraelite në territoret palestineze ishte një prej çështjeve ndaj të cilave kërkohet angazhim ndërkombëtar. BE dhe shtetet anëtare, si dhe Turqia, kanë kritikuar vazhdimisht Tel Avivin për pushtimin e territoreve të Palestinës.

Një tjetër pikë diskutimi, e parashikuar për në 5 mars, është “Sulmi ndaj Izraelit në Organizatat Ndërkombëtare”, që i referohet miratimeve të rezolutave në OKB, Konferencën Islamike, ku Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës është bërë pjesë e këtij “sulmi” të pretenduar nga izraelitët.

Pra është e dukshme që kjo Konferencë Amerikano-Izraelite është në përplasje me politikën e jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vetë Brukselit, të cilës Rama pretendon se po i afrohet.

Përfaqësimi i Shqipërisë në këtë konferencë në nivelin më të lartë politik ngre dyshime për votën në OKB dhe Konferencën Islamike nëse ajo ka qenë e ndikuar nga Turqia dhe vendet arabe, ose pjesëmarrja në “AIPAC” është një përpjekje individuale e kryeministrit Rama për të përmirësuar imazhin e tij në Uashington dhe Tel Aviv, që duhet t’i ketë kushtuar jo pak me kompanitë lobuese që veprojnë në SHBA./Politiko.al

Të fundit