Flash News

KRYESORE

“Politika është shah”, Rama nis “lojën” me Metën dhe lëviz gurin e parë

“Politika është shah”, Rama nis “lojën”

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama u ka dërguar një SMS deputetëve të grupit parlamentar të PS, pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të  mos dekretuar Sandër Lleshin si ministër i Brendshëm.

Rama u kërkoi atyre të mos bëjnë asnjë koment pas vendimit të Metës, duke u shkruar se “politika është shah”.

“Lutem asnjë lloj komenti askujt për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t'i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni”, shkruante Rama.

Dhe duket se loja mes tyre ka nisur. Një ditë pas takimit mes tyre, diskutim që ka zgjatur rreth 90 minuta në zyrën e Metës, Rama deklaroi sot se Sandër Lleshi do të marrë kompetencat e Ministrit të Brendshëm, por duke u emëruar të nesërmen (e martë) si zëvendësministër.

Nga ana tjetër, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS këtë mëngjes, në zyrën e Metës sot ka mbërritur kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Takimi mes tyre po zhvillohet në presidencë me kërkesë të Ruçit, duke nënkuptuar se loja e shahut politik mes tyre sapo ka nisur.

Nga ana tjetër, në një status në rrjetet sociale, Rama paralajmëroi se Sandër Lleshi nesër emërohet zëvendësministër, por nuk mbaron me kaq.

“Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”, shkruan Rama.

Mirëpo, në gjuhen teknike të shahistëve, Ruçi simbolizon gurin e parë në fushën e kundërshtarit, ndërsa pritet lëvizja e radhës nga ana e Ilir Metës. Mbetet për t’u parë se cila palë do të bëjë “mat”...

Të fundit