Flash News

OP-ED

Politikanë pa të ardhme

Politikanë pa të ardhme

Klementin Mile

Politika shqiptare e ka konsumuar të ardhmen. Kjo është arsyeja që politikanët shqiptarë, në qeveri dhe opozitë, nuk po bëjnë asgjë për të dalë nga kriza politike që ka mbërthyer sistemin. Ata vetëm po presin të shqetësuar, çka mund ta lexosh lehtësisht në sjelljen verbale dhe joverbale të tyre, kur dalin në konferencë për mediat, kur takojnë njerëz nëpër Shqipëri, kur marrin pjesë në takime me ndërkombëtarët, kur braktisin pushimet verore për aktivitete politike. Ata po dështojnë ta ndërtojnë të ardhmen, prej frikës së një kursi që nuk mund ta ndikojnë dot dhe për të cilin e kanë të pamundur të përgatiten.

Ky kurs është ai i Reformës në Drejtësi. E sponsorizuar nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht amerikanët, kjo reformë nis një kurs të pakontrollueshëm nga politikanët shqiptarë. Kjo nuk do të thotë se reforma është perfekte, apo se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë devijime nga ideali i drejtësisë që ka shpallur se do të sjellë. Por, pavarësisht defekteve të saj, Reforma në Drejtësi është faktori vendimtar për daljen nga kriza politike. A nuk po presin edhe qeveria, edhe opozita, edhe Presidenti, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese për të konfirmuar ose zhvlerësuar procesin e votimeve për pushtetin lokal të 30 qershorit, sikurse dhe konfirmimin ose zhvlerësimin e dekreteve të Presidentit? A nuk po presin edhe qeveria, edhe opozita, edhe Presidenti, formimin e SPAK-ut dhe BKH-së për t’u dhënë jetë ligjore ose vdekje përfundimtare akuzave për shitblerje votash, për ministra të korruptuar dhe të përfshirë në trafikun e drogës, për aleatë dhe kundërshtarë të përfolur dhe akuzuar publikisht për abuzim me pushtetin?

Politika, thoshte Makiaveli, është një miksim i tri elementeve: necessita, ose imperativit për të marrë vendime me kosto dhe pasoja në kushtet e pamjaftueshmërisë së burimeve, kërcënimit të dhunës ose ambicies së personave; virtu, ose kapacitetit të sundimtarëve për të kuptuar kontekstin politik dhe për ta shfrytëzuar për të krijuar rend dhe siguri; dhe fortuna, ose mundësia gjithmonë e pranishme e ngjarjeve të paparashikuara dhe proceseve të parezistueshme. Në politikën shqiptare, rolin kryesor po e luan tashmë fortuna, për shkak se politikanëve tanë, në të shkuarën, u ka munguar necessita, pra vendosmëria e nevojshme për të marrë vendime të guximshme, sikundër u ka munguar edhe virtu, maturia dhe virtyti politik për të kryer gjënë e duhur përballë vlerave dhe interesave diverse. Reforma në Drejtësi, në këtë kuptim, është thjesht forma me të cilën shfaqet fortuna.

Duke spekuluar dhe luajtur kumar me të ardhmen për vite me radhë, politika shqiptare ka mbetur pa të ardhme. Kështu ka ndodhur me premtimet për integrimin europian të Shqipërisë në të ardhmen e afërt, për punësim dhe mirëqenie, për qeverisje të përgjegjshme dhe llogaridhënie, për bashkëqeverisje me qytetarët, për meritokraci, për drejtësi profesionale, të balancuar dhe të pavarur, për administratë publike kompetente, për zgjedhje të lira e të ndershme, për ekonomi konkurruese etj., etj. Politikanët tanë e kanë konsumuar të ardhmen, sepse kanë dashur të ruajnë të paprekura në të tashmen të gjitha privilegjet e së shkuarës.

Teoricienia bashkëkohore, Elena Espozito, thotë se ardhmja ekziston për aq kohë sa mbetet e hapur dhe e paparishikueshme, për aq kohë sa paraqet një horizont mundësish të papërcaktuara. Kjo do të thotë të mos e dimë kurrë se çfarë do të ndodhë. Një e ardhme, e reduktuar në një sekuencë të vetme ngjarjesh, nuk do të ishte më e tillë. Në fakt, sa më shumë mundësi të paraqesë e ardhmja, pra, sa më shumë të ardhme të ndryshme të përmbajë ajo, aq më e hapur është. Nuk janë të barasvlefshme të gjitha të ardhmet. E ardhmja është gjithmonë konstruksion i së tashmes. Sa më e aftë të jetë politika që ta përdorë të tashmen për ta rritur, jo për ta ulur, lirinë e së ardhmes, aq më shumë të ardhme ka ajo politikë.

E ardhmja konsumohet prej vendimeve politike. I tillë ka qenë vendimi i politikës shqiptare për ta çardhmësuar të ardhmen. Por e ardhmja nuk mund të çardhmësohet. Përpjekjet e politikanëve për ta rritur parashikueshmërinë e së ardhmes dhe kontrollin mbi të kanë prodhuar efektin e kundërt, duke bërë që e tashmja të mos ketë më të ardhme. Teknikat politike të çardhmësimit, si premtimet, paktet, partneritetet, sondazhet, statistikat dhe programet krijojnë përshtypjen e një “kolonizimi” të së ardhmes, duke e shtrënguar atë të vijojë në pak kurse ngjarjesh, mundësia e të cilave është përdorur tashmë.

Premtimet janë bërë të gjitha, pakte dhe partneritete kanë bërë të gjithë, sondazhet dhe statistikat nuk japin më informacion të vlefshëm, programet nuk udhëzojnë ndonjë rrugë të saktë veprimi. Politika shqiptare, pra, i ka eksploruar shtigjet drejt së ardhmes, herë duke shpënë aty politikanët me popullin, herë duke përcjellë politikanë me grupe interesi, e herë duke dërguar politikanë nga parti kundërshtare.

Por tashmë kanë mbaruar të gjitha shtigjet. E ardhmja është aty, në formën e Reformës në Drejtësi dhe pasojave politike të saj. Por kjo e ardhme nuk është për politikanët, të cilët e kanë humbur mundësinë për të vendosur dhe operuar, e kanë humbur mundësinë për të prodhuar mundësi./Gazeta Liberale

Të fundit