Flash News

POLITIKOFF

Aktivistët gjeorgjianë pengojnë dasmën ku mori pjesë vajza e Sergei Lavrovit

Aktivistët gjeorgjianë pengojnë dasmën ku mori pjesë

Aktivistët në Gjeorgji penguan një ceremoni dasme të organizuar jashtë kryeqytetit Tbilisi, ku bëhet e ditur se po merrte pjesë vajza e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë. Sipas raportimeve nga mediat gjeorgjiane, Yekaterina Lavrov, vajza e Sergei Lavrovit, pritej që dje të merrte pjesë në këtë ceremoni, në një vendpushim malor në lindje të Tbilisit. U mësua se martohej kunati, vëllai i bashkëshortit të saj Aleksandr Vinokurov. Protestuesit nacionalistë organizuan një tubim jashtë resortit, duke u përplasur për disa minuta me policinë. Forcat e rendit arrestuan të paktën 16 persona.

Po sipas raportimeve të mediave, disa protestues hodhën vezë mbi makinat që dilnin nga hoteli, duke thirrur: Rusët nuk kanë vend në Gjeorgji! Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili konfirmoi se dasma nuk u zhvillua dhe më pas, të ftuarit u larguan. Ende nuk dihet nëse kryediplomati i Rusisë, Lavrov mori pjesë në këtë ceremoni.

"Kam marrë një informacion nga ministri i Punëve të Brendshme që personat e ftuar u larguan, dasma nuk mbahet. Kjo është një fitore për shoqërinë. Po kështu dhe largimi i deputetit të Dumës, Sergei Gavrilov nga ky vend."

Incidenti shënohet pasi Gjeorgjia rivendosi fluturimet e ndërprera prej kohësh mes Tbilisit dhe Moskës. Tre ditë më parë, një avion rus me pasagjerë u ul në Tbilisi, i pari që kur presidenti rus Vladimir Putin hoqi një ndalim-fluturim të vitit 2019, javën e kaluar. Mbërritja e avionit u prit me protesta si në Aeroportin e Tbilisit, ashtu dhe në vende të tjera. Marrëdhëniet zyrtare diplomatike mes dy vendeve nuk kanë ekzistuar që nga fitorja e shpejtë e Rusisë mbi forcat gjeorgjiane në një luftë të shkurtër në vitin 2008. Si rezultat i konfliktit, Gjeorgjia humbi kontrollin mbi rajonet separatiste të Abkhazisë e Osetisë së Jugut. Gjeorgjia ka votuar vazhdimisht në favor të rezolutave ndërkombëtare që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Për më tepër, ajo ka ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën dhe ka pranuar mijëra refugjatë që ikin nga lufta.

Të fundit