POLITIKOFF

'Fabrikimi i jetëve paralele te njerëzit e diktaturës'/ Drama “Kapterr Behari” në skenën e teatrit Metropol nga 9-12 shtator

'Fabrikimi i jetëve paralele te njerëzit e

“Kapterr Behari”, është shfaqja që do të vihet në skenën e teatrit Metropol në datat 9-12 shtator. Me autor dhe regji Stefan Çapalikun, “Kapterr Behari” është një dramë që merret eskluzivisht me mënyrën e fabrikimit të jetëve paralele, të fshehta të krijuara te njerëzit e diktaturës. 

Shfaqja ka karakter koncertor në kuptimin e dy sjelljeve estetike të artistëve në skenë. Aktorët që do të ngjiten në skenë janë Ervin Bejleri, Naum Shundi dhe Enisa Hysa.

Më poshtë është një përmbledhje e dramës "Kapterr Behari":

Kapterr Behari, pergjegjës për mbarëvajten e agjitpropit në burgun e Burrelit i lexon cdo ditë me altoparlant të burgosurve politikë librat e Enver Hoxhes dhe gazetat e ditës.

Ndërkaq Pjetri, një i burgosur veteran, i dënuar me 25 vjet burg, ngarkohet herë pas here nga komandanti i burgut të përkthejë materiale top secret për llogari të Komitetit Qendror të Partisë. Për të bërë këtë punë atij i lirohet njëra nga tre qelitë e burgut. I vihet në dispozicion një makinë shkrimi dhe një tufë me letra.

Liza, banakieria e klubit të qendrës së qytetit, e pamartuar dhe në sytë e të gjithë meshkujve të qytetit, moleston seksualisht kapterr Beharin.

Kapterr Behari, kurioz se çfarë është duke përkthyer Pjetri bie në grackën e subjektit romantik të shënimeve të konsullit britanik në Tiranë. Prej asaj kohe toger Behari nis ta përjetojë me mish e me shpirt historinë librore dhe në të njëjtën kohë fillon një jetë paralele, duke u përpjekur që personazhin femëror të shënimeve të konsullit ta projektojë te figura e Lizës. 

Që prej asaj dite vizitat e Kapterr Beharit në qelinë e Pjetrit shpeshtohen aq shumë sa bien në sy edhe të autoriteteve të burgut. Po kështu limitohet koha e leximit të veprave të Enver Hoxhës dhe literaturës tjetër politike. Prej kësaj presioni rritet. Kapterr Behari nuk ia del dot ta përballojë represionin dhe një natë vendos të vetvritet.

 

Të fundit