Flash News

POLITIKOFF

Indeksi për 2021-in: Pandemia shkaktoi 'humbje të mëdha' për barazinë gjinore në Evropë

Indeksi për 2021-in: Pandemia shkaktoi 'humbje të

Indeksi i Barazisë Gjinore për vitin 2021 paralajmëron se pandemia po kërcënon "fitimet e brishta" të bëra në Evropë drejt barazisë gjinore.

"Evropa ka bërë fitime të brishta në barazinë gjinore. Por humbje të mëdha po shfaqen si rezultat i pandemisë COVID-19", tha Carlien Scheele, drejtore e Institutit Evropian për Barazinë Gjinore (EIGE).

Cili është Indeksi i Barazisë Gjinore?

EIGE ka monitoruar avancimin e barazisë gjinore në të gjithë Bashkimin Evropian që nga viti 2013, duke matur progresin përmes gjashtë fushave kryesore: puna, paraja, njohuria, koha, fuqia dhe shëndeti.

Çdo shteti i jepet nga 0 deri në 100 pikë. Rezultatet e këtij viti nuk ishin aspak ngushëlluese: BE-ja shënoi 68 pikë nga 100- një "rritje mikroskopike prej vetëm 0.6 pikësh që nga edicioni i vitit të kaluar," tha EIGE.

Agjencia ka shprehur shqetësimin për ritmin e ngadaltë të progresit drejt barazisë gjinore, me një rritje të thjeshtë prej 4.9 pikësh në total që nga viti 2010.

Dhe "madje edhe ai përparim minimal në barazinë gjinore kërcënohet nga ndikimi i pandemisë COVID-19," theksoi agjencia.

Si ka ndikuar COVID-19 në barazinë gjinore?

Raporti vuri në dukje se gratë ishin të mbipërfaqësuara në mesin e punëtorëve thelbësorë dhe të vijës së parë gjatë pandemisë, dhe kështu më të ekspozuara ndaj infeksionit. Ndërkohë, burrat kishin më shumë gjasa të shtroheshin në spital nëse merrnin virusin.

Pandemia ndikoi gjithashtu në pabarazitë gjinore në shtëpi, me gratë që mbanin barrën e punës së papaguar të kujdesit gjatë bllokimeve të përsëritura. Ekspertët kanë vërejtur gjithashtu një "pandemi brenda pandemisë" të dhunës në familje.

"Bashkëjetesa e shkaktuar nga bllokimet dhe paqëndrueshmëria ekonomike dhe e punës konsiderohen si faktorë stresues të lidhur me një rritje të dhunës nga partneri intim", vuri në dukje raporti, duke cituar studime të mëparshme. Pasojat ekonomike të pandemisë gjithashtu "zgjatin më gjatë për gratë", tha Scheele.

Cilat vende të BE-së po udhëheqin rrugën për barazinë gjinore?

Raporti i ri theksoi pabarazitë e mëdha midis vendeve të BE-së në rrugën drejt barazisë gjinore. Suedia dhe Danimarka ruajtën pozitën e tyre si performuesit më të mirë në Evropë për barazinë gjinore, me përkatësisht 83.9 dhe 77.8 pikë.

Dy vendet skandinave u pasuan nga Holanda, e cila kaloi Finlandën dhe Francën për të marrë vendin e tretë.

"Luksemburgu, Lituania dhe Holanda janë përmirësuar më së shumti që nga edicioni i vitit të kaluar", vuri në dukje EIGE. Sllovenia ishte i vetmi vend që shkoi prapa.

Burimi: Euronews

Të fundit