Flash News

POLITIKOFF

“Më dhanë pasaportën si Victoria Marini”/ Parashqevi Simaku rrëfen për herë të parë arsyen e largimit nga Shqipëria

“Më dhanë pasaportën si Victoria Marini”/ Parashqevi

Këngëtarja ikonë e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, ka rrëfyer për herë të parë historinë e saj të largimit nga Shqipëria, në një intervistë të sinqertë dhe prekëse për emisionin “Opinion”. Një rrëfim personal i mbushur me emocione, vendime të vështira dhe sakrifica, që hedh dritë mbi një kapitull të panjohur të jetës së saj.

Simaku tregoi se gjithçka nisi me dëshirën e nënës së saj për të vizituar vëllain në Itali, një prej shumë shqiptarëve që kishin emigruar në fillim të viteve '90. Por rruga drejt Italisë nuk ishte e lehtë.

“Me mikeshën time shkova në ambasadë. Ambasadori italian më njihte nga mbrëmjet e partisë për Krishtlindje. I thashë të lutem... 'Po ti je Parashqevia', më tha! Më premtuan ndihmë. Më sollën makinën diplomatike. S’kisha asnjë lekë! E gjitha ishte një dhuratë,” – rrëfeu këngëtarja.
Por ndalesa në Itali ishte vetëm fillimi. Së shpejti, ajo do të gjendej përballë vendimit për të lënë përfundimisht Shqipërinë. Falë një çifti shqiptarësh nga Dibra e Maqedonisë që jetonin në New York, ajo siguroi një pasaportë italiane të blerë.

“Ishte pasaportë kalabreze, në emrin Victoria Marini. Unë flisja italisht, dukesha si italiane,” – tha Simaku me një buzëqeshje të hidhur.

Më 9 mars 1992, ajo mbërriti në New York.

“U shokova kur erdha. Gjëja e parë thoja është: pse është qielli kaq i lartë? Në Shqipëri ato retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha hyrë në një botë tjetër. Shqiptarët këtu më donin shumë,”  përfundoi ajo, e emocionuar.

Rrëfimi i Parashqevi Simakut hedh dritë mbi peripecitë e shumë shqiptarëve të asaj kohe, por edhe mbi guximin dhe vullnetin e një artisteje që kërkonte të mbijetonte dhe të mbante gjallë ëndrrën e saj, larg vendit që e rriti si këngëtare, por që nuk mund t’i ofronte më lirinë që kërkonte.

Të fundit