Flash News


POLITIKOFF

"Navalny" vlerësohet me çmim "Oscar", Kremlini nuk e pret mirë: Hollywood-i i politizuar

"Navalny" vlerësohet me çmim "Oscar", Kremlini

Kremlini nuk e ka gëlltitur vlerësimin me Oscar të dokumentarit “Navalny”, në natën e madhe të ndarjes së çmimeve të rëndësishme në Teatrin Dolby në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aty flitet për liderin opozitar rus, Aleksei Navalny, të cilin Moska zyrtare e mban të burgosur dhe madje e ka përfshirë në listën e terroristëve. Për zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, dhënia e statujës së artë tregon një element të qartë të atij që e quan “politizimi i Hollivudit”.

Në këtë dokumentar të kritikuar nga rusët, paraqitet faza e shërimit të Navalny-t kur u dërgua për kurim në një spital në Gjermani pas helmimit me agjent nervor në Siberi, në vitin 2020 kohë në të cilën ai rrezikoi jetën e kaloi një gjendje shëndetësore tejet shqetësuese. Po ashtu, përshkruhet puna e bërë me rrjetin investigativ Belligcat për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e këtij akti që synoi eliminim e tij fizik.

Dmitry Peskov vuri në dukje se nuk e pa dokumentarin, por pavarësisht kësaj vlerëson se sipas tij “ekziston një element i qartë i politizimit të rastit”. Peskov deklaroi:

"Politika nuk është e panjohur për Hollivudin, por unë nuk mund të flas për meritat e arritjet e realizimit pasi nuk jam njohur me to."

Në këtë dokumentar, Navalny fajëson agjentët e Shërbimit Shtetëror të Sigurisë së Rusisë, (FSB) për helmimin e tij. Prej kohësh, Rusia hedh poshtë çdo akuzë që e lidh me përpjekjen për të vrarë Aleksei Navalny-n, i cili njihet si kritik i vendosur e kundërshtar i fortë i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ai është duke e vuajtur dënimin me burg pasi gjykata e dënoi me 11 vite e gjysmë heqje lirie, i shpallur fajtor për akuzat e mashtrimit dhe përvetësimit. Vetë Navalny nuk ka dyshime se akuzat janë të motivuara politikisht, me qëllim që ta detyrojnë të heshtë.

Të fundit