Flash News

POLITIKOFF

Nga divorci i bujshëm te përplasjet fizike, çfarë fshihet pas dyerve të pallatit mbretëror

Nga divorci i bujshëm te përplasjet fizike, çfarë fshihet

Më shumë se një histori përrallash me mbret ngjan më shumë me një skenar telenovelash, për fundin e së cilës të gjithë jemi kuriozë sesi do të shkojë.

Pas bujës që bëri lajmi për ndarjen e çiftit mbretëror sot u publikua lajmi se princ Leka kishte kallëzuar në polici për dhunë ish-partneren Elia Zaharia dhe të atin e saj Gjergj Zaharia.

Por si nisi telenovela e princit shqiptar? Gjithçka nisi të zbulohej kur princeshë Geraldina festoi ditëlindjen pa të dy prindërit, ashtu si ishim mësuar t’i shikonim në portretet e tyre familjare.  

Ishte Princ Leka i pari që përmes një reagimi zyrtar, ka njoftuar ndarjen nga Elia Zaharia, ndërsa bën me dije se kanë nisur dhe procedurat e nevojshme ligjore. Princ Leka theksoi se mirëqenia e vajzës së tyre do të mbetet në qendër të vëmendjes.

Përshëndetje miq dhe dashamirës, me anë të këtij postimi ju komunikoj zyrtarisht se LTM Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë rënë dakord që martesës së tyre t’i jepet fund. Duke qenë se martesa e ka humbur funksionin e saj, kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok, duke filluar procedurat e nevojshme ligjore. Pavarësisht besimit tek instituti i familjes, LTM Princ Leka II beson se vlerat e respektit dhe mirëkuptimit reciprok do të përbëjnë bazën e marrëdhënies në vijimësinë e saj, që do të ketë si motiv rritjen dhe edukimin e LSM Princeshës Geraldinë! Mirëqenia shpirtërore dhe fizike e vajzës, LSM Princeshë Geraldinës, do mbetet në qendër të vëmendjes së tyre, të përkushtuar për të siguruar një jetë të lumtur dhe të sigurt për Geraldinën. LTM Princ Leka Il nuk do të bëjë deklarata apo komente të mëtejshme dhe kërkon që të respektohet e drejta për privatësi lidhur me këtë çështje”, shkroi Princ Leka.

Pas Princ Lekës, një reagim erdhi edhe nga Elia Zaharia, e cila teksa konfirmoi ndarjen tha se ky nuk është një realitet që e lumturon. Ajo shkruan ndër të tjera se nuk do të donte kurrsesi që vajza e tyre, Geraldina, të rritej me prindër të ndarë, por thotë se ishte e vetmja rrugëzgjidhje.

Miq dhe dashamirës, më duhet t’ju komunikoj që sot filluam procedurat ligjore për zgjidhjen e martesës, pasi vendosëm bashkërisht të kërkojmë zyrtarizimin e divorcit! Ky nuk është aspak një realitet që më lumturon, pasi besoj në vlerat e familjes si gjënë më të shtrenjtë! Kurrsesi nuk do kisha zgjedhur për vajzën time të rritej me prindër të ndarë, por ndonjëherë ndarja qenka e vetmja rrugëzgjidhje! Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur! Ju falënderoj shumë të gjithëve ju që më keni shkruar e më keni dhënë kurajë! Pavarësisht këtyre muajve të vështirë që kam kaluar, dashamirësia juaj më ka dhënë forcë! Ju uroj shëndet e lumturi në familjet tuaja!”, shkroi aktorja.

Më pas doli në pah edhe e re e dashurisë së Princ Lekës,  Blerta Celibashi, e cila u konsiderua edhe si "molla e sherrit" . Një fotografe disa vite më e re në moshë, ia kishte marrë mendjen Princit, që tashmë e jeton këtë histori dashurie, pa u fshehur nga sytë e publikut e madje duke kaluar pushimet së bashku.

Ndërkohë në videon që po qarkullon shihet Elia e revoltuar dhe akuzon princin për dhunë. “Ti ke prekur me dorë babin tim, ti ke gjuajtur babin tim. 70 vjeç babi, i ke gjuajtur babit tim”, i drejtohet ajo ish-bashkëshortit me ton të lartë dhe të acaruar, ndërkohë që i ati përpiqet ta qetësojë.  Ndërkohë, akt-ekspertimi tregoi se aktorja kishte shenja dhune në krah dhe dorë.

Në sherr e sipër, e akuzon gjithashtu se ka falsifikuar diplomat e arsimit: “Diplomat i ke falsifikuar. Ti i ke thënë shtetit shqiptar që ke shkollë. Ti s’ke shkollë, ke vetëm katër klasë shkollë”.

Princi dëshminë e tij, ka shpjeguar se është fyer dhe më pas sulmuar fizikisht nga ish-vjehrri i tij në rezidencën e familjes mbretërore në kryeqytet, ku siç shpjegoi, kishte shkuar për të takuar vajzën.

Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën ‘Murat Toptani’, rezidenca e familjes mbretërore nr.6, Tirane, për të takuar vajzën timë të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefi i administratës së oborrit të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Me pas unë i kam kërkuar atij që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar për, të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese, kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten. Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes, shtetasit Gjergj Zaharia. Në këtë moment, unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke me thënë ‘ti duhet të ndërrosh rrugën kur te me shikosh mua’”, ka deklaruar princi në dëshminë e dhënë në polici.

Reagimi im para kësaj situate ka qene duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendojë e kërcënoj sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këto momente, situata ka agravuar, shtetasi Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke me goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të forte (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, ka shtuar më tej.

Si do të jetë fundit i telenovele? Mbetet për tu parë!

 

 

Të fundit