Flash News

POLITIKOFF

Politikat për emigracionin/ TikToker-i famshëm largohet nga SHBA

Politikat për emigracionin/ TikToker-i famshëm largohet nga SHBA

TikToker-i më i famshëm në planet, Khaby Lame, është detyruar të largohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi u ndalua nga autoritetet federale për shkak të një vize të skaduar. Influencuesi 25-vjeçar me origjinë senegaleze dhe nënshtetësi italiane, u arrestua të premten në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid në Las Vegas, sipas një zëdhënësi të Imigracionit dhe Doganave (ICE).

Lame kishte hyrë në SHBA më 30 prill dhe kishte qëndruar përtej afatit të lejuar nga viza. Edhe pse nuk iu lëshua një urdhër zyrtar deportimi, atij iu kërkua të largohej përmes procedurës së “largimit vullnetar” – një masë që nuk e penalizon me ndalim dhjetëvjeçar për rikthim, siç ndodh me rastet e deportimit zyrtar.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Lame mori pjesë në evente të profilit të lartë, përfshirë Met Gala dhe aktivitete në kuadër të Institutit të Kostumeve të Muzeut Metropolitan të Artit në Nju Jork.

Khaby Lame, i cili u bë i njohur gjatë pandemisë me videot e tij pa fjalë, por me mimika të theksuara dhe humor satirik për “life hacks” të kota, numëron aktualisht mbi 162 milion ndjekës në TikTok, duke mbajtur vendin e parë globalisht në platformë. Në vitin 2022 ai firmosi një kontratë me markën e njohur Hugo Boss, ndërsa në janar 2025 u shpall Ambasador i Vullnetit të Mirë i UNICEF-it.

Pavarësisht incidentit, Khaby nuk ka bërë ende një koment publik për ndalimin dhe largimin nga SHBA-ja, ndërsa vazhdon të jetë aktiv në rrjetet sociale. Përfaqësuesit e tij nuk kanë kthyer ende një përgjigje ndaj kërkesave të mediave ndërkombëtare për koment.

Të fundit