Flash News

KRYESORE

Porosia që i ati i dha Luljeta Prognit pas rënies së komunizmit: Vazhdoni shkollën, mos shikoni kush ua mohoi atë

Porosia që i ati i dha Luljeta Prognit pas rënies së komunizmit:

Gazetarja Luljeta Progni në një postim në ‘Facebook’ ka folur për të shkuarën e familjes së saj e cila ka qenë e persekutuar në sistemi komunist.

Ajo ka deklaruar se kurrë nuk do të kërkoj se kush ishte përgjegjësi për vuajtjet e tyre të vazhdueshme, por do të ndjekë këshillën e të atit i cili pas rënies së sistemit komunist. Ai  i porositi fëmijët e tij të cilëve u ishte refuzuar shkollimi në universitet për shkak të biografisë jo të mirë, që kurrë mos të kthehen pas për të mësuar se kush i la pa shkollë.

“Tani jeni të lirë dhe mund të shkoni në shkollë. Kjo është rruga juaj më e mirë. Nuk do të isha kurrë i qetë, nëse tani do të ktheni kokën pas të shihni kush ju ndali të shkoni në shkollë”, - ishte porosia e të atit të Prognit.

Statusi i plotë:

Kujtese për viktimat e komunizmit

Do ta nis me porosinë e tim eti këtë shpjegim për rubrikën e re në gazetën Mapo, “Libri i zi i komunizmit shqiptar”.

Dita kur u rrëzua komunizmi e lindi pluralizmi ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për familjen tonë. Pak ditë më pas, im atë na mblodhi, ne fëmijëve të tij, për të na dhënë një porosi. “Tani jeni të lirë dhe mund të shkoni në shkollë. Kjo është rruga juaj më e mirë. Nuk do të isha kurrë i qetë, nëse tani do të ktheni kokën pas të shihni kush ju ndali të shkoni në shkollë… kush më burgosi mua, e kush na persekutoi. Mos e hapni kurrë atë libër, sepse nuk do t’ju ndihmojë. Do humbisni kohë duke u endur nëpër të shkuarën e, kështu do humbisni të ardhmen. Harrojini ata dhe vazhdoni rrugën tuaj”.

Në vjeshtën e atij viti unë nisa universitetin. Kisha dy vite që më ishte mohuar për shkak të “biografisë së keqe”. Kështu u shërua një prej plagëve më të mëdha të babait tim, shkolla e ndaluar për fëmijët. Siç na këshilloi im atë, as unë e as familjarët e mi nuk u morëm kurrë me “persekutorët”.

Ndoshta për shkak të profesionit, kam ndjekur gjithnjë me vëmendje si është trajtuar ajo kohë e errët e krimeve të komunizmit. Si vuajtëse e komunizmit e si gazetare, jam ndjerë e hidhëruar nga prirja e elitës post-komunsite për të ndalur çdo përpjekje për kujtesën e krimeve të komunizmit.

Për këtë asye sot, besoj se im atë nuk më dha këshillën e duhur. Siç ai më kërkoi unë nuk renda kurrë të hap dosje për të gjetur përgjigjet e mundimeve të mia dhe do të vazhdoj të mos rend në atë rrugë por, ama sot kam vendosur të mos hesht më. Jo për persekutorët por për jetët e atyre që kaluan nëpër kalvarin e vuajtjeve nën diktaturën komuniste. Për të sjellë në kujtesën e të gjithëve historitë e jetëve që u përcaktuan nga krimet e një regjimi çnjerëzor, por edhe nga forca e mbijetësës shpirtërore.

Rubrika “Libri i zi i komunizmit shqiptar” do të sjellë histori të dhimbshme. Shumë prej tyre janë të rënda për t’u treguar. Por unë do t’i shkruaj. Do t’i shkruaj jo vetëm në respekt të dhimbjes së vuajtësve, por edhe si akuzë ndaj atyre që e kanë tjetërsuar e vazhdojnë ta tjetërsojnë historinë e krimeve të komunizmit; ndaj atyre që kanë prirjen për t’i zvogëluar këto krime dhe atyre që kanë nostalgji për atë kohë. Do ti shkruaj me qëllim që brezat e rinj të njihen me historinë, ashtu siç ishte.

Kjo rubrikë synon të kontribuojë në rikthimin e kujtesës kolektive. Është një kontribut modest në një arenë ku ende zotër janë ata që nuk e duan kthimin e kujtesës, madje e shtypin me qëllim çdo ditë “në mënyrë brutale” siç thotë Profesore Lori Amy, e Universitetit Jugor të Xhorxhias:

“Nga njëra anë, kemi një grup njerëzish, të cilët nuk duan që të dalin në dritë disa nga gjërat që ata kanë bërë. Ata përdorin energji të shumta për të shtypur dhe për të mohuar këtë histori. Në të njëjtën kohë, ka një numër të madh njerëzish që jetojnë çdo ditë me kujtesën e asaj që hoqën dhe ata nuk e kanë mundësinë për ta bërë publike këtë. Sot, ne sot nuk e kemi luksin për ta lënë këtë kujtesë të humbasë.”

“Libri i Zi i Komunizmit shqiptar” do të rrëfejë historitë e vuajteve njerëzore. Në të nuk do të ketë asnjë emër të përbindshave që i shkaktuan këto vuajtje. Emrat e këtyre të fundit i gjeni nëpër muzeumet e “Rilindjes”.

Të fundit