Flash News

KRYESORE

PPP, ose Parti-Pushtet-Pasuri

PPP, ose Parti-Pushtet-Pasuri

Patrik Sadikaj

Dashamir Shehi, deputeti opozitar, tha një fjali në emisionin “Arena” që për shumë mund të ngjajë si një klishe politike. Por, duam apo s’duam ne, Shehi thotë një të vërtetë të madhe. Ashtu siç di ai, troç. Ani pse shpesh herë merr ndonjë sharje turkoshake nga të kamurit, medemek perendimorë, por me kokën mbushur me orientalizëm ballkanik.

Deputeti Shehi, tha se “në këtë vend, i merren paratë dhe pasuritë gjithë popullit për t’iu dhënë dhjetë zengjinëve”. Me siguri, veç meje, kjo fjali i ka vrarë veshin edhe shumë shqiptarëve që debatet politike i ndjekin me kërshëri. Jam i bindur se në mendime, deklarata e Dash Shehit, ka futur edhe ata që në dy palë zgjedhje nuk ia kursyen votën qeverisë së Edi Ramës. (Dikush me një vend pune, dikush me para në dorë).

Edhe ata, që sot nuk ngopin dot me bukë barkun e fëmijëve, janë në një mendje me të, por për shkak të pasionit ndonjë, apo prangave të shitjes së votës, thonë të kundërtën. Si një njohës i mirë i ekonomisë, ai nuk flet ashtu siç Rama përpiqet ta zhvlerwsojë. Ai thotë të vërtetën e madhe, atë që propaganda e qeverisë hedh një mal me para për ta groposur nën konçensione të modelit PPP. Një stil ky i shpikur nga ekonomisti me diplomë Anglishteje që ka në dorë Financat dhe Ekonominë tonë.

Të gjithë thonë se PPP-të, janë një rrezik për ekonominë dhe vendin, por mësuesi i Anglishtes vazhdon të japë leksione përkthimi. Pra, ne të tjerët, bashkë me FMN-në, Bankën Botërore, Opozitën dhe specialistët e ekonomisë nuk e kuptojmë përkthimin. Vetëm ministri është në shkallën sipërore për t’i parë PPP-të me gjuhën e tij.

Fundja s’kemi pse habitemi, ai atë di dhe atë bën.

Problemi është se PPP-të janë dëshmia më e qartë e zhvatjes së këtij vendi nga një grusht njerëzish që Dash Shehi i quan 'zengjinë'. Nuk jam ekonomist, po ashtu si edhe ministri, por jam një njeri që vjedhjen e kuptoj po aq sa edhe ministri. Vetëm me një ndryshim, unë jam pjesë e atij grupit që vidhet për të pasuruar zengjinët që marrin çdo pasuri të këtij vendi e ndërtojnë një korrupsion të madh.

PPP-të e Ramës po hedhin rrënjë aq shumë, sa një ditë do jetë e pamundur të shkulen. Nëse kjo skemë vazhdon, pasuritë e këtij vendi do të zhduken. Në vend të tyre do të kemi zengjinët që numërojnë pasuritë e vjedhura dhe qytetarët që ikin nga sytë këmbët prej këtij vendi. PPP-të nuk janë asgjë tjetër veçse një rrezik kombëtar. Këtë e thotë edhe Banka Botërore. E thotë edhe FMN-ja. E thotë edhe populli, por vetëm Edi Rama lexon përkthimin e ministrit të tij zengjin.

Është për të ardhur keq, por duhet ta themi se, njeriu i mirë Dash Shehi ka të drejtë. Ne jemi kthyer në një vend që punon në një formë moderne feudalizmi turkoshak, ku të gjithë punojnë për feudin. PPP-të nuk janë kurrsesi, partneritet publik privat, por një skemë e shpikur për të zhveshur këtë vend nga pasuria. PPP-të tani kanë marrë plotësisht formën për të cilën u shpikën: Parti-Pushtet-Pasuri.

Sa keq që ka ende nga ata që e lexojnë këtë slogan, Parti-Popull-Unitet.

Të fundit