Flash News

KRYESORE

Pranga dy të rinjve trafikantë, përdornin studion e tatuazheve në Tiranë si bazë për shpërndarjen e drogës te “Ali Demi”

Pranga dy të rinjve trafikantë, përdornin studion e tatuazheve

Policia ka vënë në pranga dy të rinj, pasi akuzohen si shpërndarës droge në zona të ndryshme të Tiranës.

Sipas policisë, të arrestuar janë Armando Behari, 24 vjeç dhe Xhevit Bogdani, 21 vjeç. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata shpërndanin lëndë narkotike në zonën e “Ali Demit” dhe “Maternitetit të Ri”, ndërsa si bazë përdornin studion e tatuazheve në pronësi të shtetasit Armando Behari.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.1 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tattoo”, arrestuan në flagrancë shtetasit :

– Armando Behari, 24 vjeç, banues në Tiranë.

– Xhevit Bogdani, 21 vjeç, banues në Përrenjas.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi :

– O. Gj., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Për shtetasit e lartpërmendur disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në zonën e “Ali Demit” dhe “Maternitetit të Ri” dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në studion e tatuazheve në pronësi të shtetasit Armando Behari, ku i pranishëm në studio ndodhej edhe shtetasi Xhevit Bogdani, u gjet një çantë me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një sasi fishekësh të kalibrit të ndryshëm.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Xhevit Bogdani, i cili jetonte me shtetasin O. Gj., është gjetur një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike, si dhe një dorezë metalike në kushtet e armës së ftohtë e cila i përkiste shtetasit O. Gj.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale :

– 1 kg e 111 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa

– 66 fishekë të kalibrit të ndryshëm

– 2 aparate celularë

– 1 dorezë metalike

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve A. B., dhe Xh. B., për veprat penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 283/2, 278/2 të Kodit Penal dhe për veprën penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit O. Gj.

Të fundit