Flash News

KRYESORE

Pranoi mandatin e deputetit, OMONIA kundër Karamelos: Vendim individual

Pranoi mandatin e deputetit, OMONIA kundër Karamelos: Vendim individual

Pasi Ligoraq (Grigor) Karamelo, kreu i OMONIA-s dhe kandidati i PD në qarkun Korçë, ka pohuar se do të pranojë mandatin e deputetit, ka ardhur edhe reagimi i Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek (OMONIA).

Karamelo është shprehur se mandati iu takon atyre që kanë dhënë kontribut dhe shton se nuk është dakord me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule që la mandatin.

Organizata OMONIA shprehet se veprimi i Karamelos është individual dhe sqaron se për këtë nuk pati dhe nuk ka asnjë dakordësi miratuese nga ana e organeve institucionale të organizatës.

“Heqja dorë nga mandatet parlamentare të anëtarëve të Kuvendit të opozitës, përbën me të vërtetë një akt politik tejet serioz, por ndërkaq, adekuat me synim rehabilitimin e rendit politik  dhe funksionimit normal të procesit të demokracisë në vend”, thekson OMONIA.

Reagimi i OMONIA-s:

Sqarim lidhur me vendimin individual të anëtarit tonë të zgjedhur në forumet drejtuese të Organizates, z.Grigor Karamelo, për të pranuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Me qëllim shmangien e çfarëdo pështjellimi të padëshiruar në referencë të zgjedhjes personale dhe vendimit individual të anëtarit tonë të zgjedhur në forumet drejtuese të Organizatës, z. Grigor Karamelo, për të pranuar pozicionin e deputetit të listës së Partisë Demokratike, sqarojmë se për këtë nuk pati dhe nuk ka asnjë dakordësi miratuese nga ana e organeve institucionale të OMONIA-s.

Bëhet fjalë për një vendim individual dhe respektive janë edhe konsekuencat dhe përgjegjësitë politike.

BDMEG OMONIA, duke miratuar dhe mbështetur vendimet politike të PBDNJ-së, sikundër ato shprehen nga Kryetari i saj, çmon se heqja dorë nga mandatet parlamentare të anëtarëve të Kuvendit të opozitës, përbën me të vërtetë një akt politik tejet serioz, por ndërkaq, adekuat me synim rehabilitimin e rendit politik  dhe funksionimit normal të procesit të demokracisë në vend.

Si Minoritet Etnik Grek kemi arsye thelbësore të jemi në atë anë të shoqërisë që kërkon përmirësime esenciale të mënyrës së të ushtruarit të qeverisjes, mirëfunksionimin e drejtësisë, luftimin e varfërisë dhe kryesisht përshpejtimin e reformave që hapin rrugën e procedurave integruese të Shqipërisë në BE.

Të fundit