Flash News

KRYESORE

Prefekti ushtarak i Ramës ‘nis luftën’ ndaj një portali lokal: Është palë me krimin, Prokuroria dhe SHISH ta hetojnë

Sulmet që Rama u bën mediave në qendër, duket se kanë zbritur edhe në bazë. Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj, gjatë një takimi publik që zv.drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajna, zhvilloi me drejtues të policisë lokale, në kuadër të intensifikimit të luftës kundër kanabisit, lëshoi një mori kritikash në adresë të një portali lokal të quajtur Argjirolajm.net.

Duke ju referuar një shkrimi të publikuar në portalin në fjalë, Aliaj e akuzoi portalin se është bërë palë me krimin dhe kriminelin teksa i kërkoi Prokurorisë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe drejtoritë vendore të Policisë në qarkun e Gjirokastrës të shikojnë se kush fshihet dhe kush e paguan këtë portal.

Deklarata e Prefektit të Gjirokastrës, Astrit Aliaj

“Është e pafalshme të qëndrojmë indiferent ndaj sulmeve që bëjnë portalet e ndryshme dhe konkretisht portali Argjirolajm.net në datën 16/3/2018 ndaj prefektit të qarkut Gjirokastër dhe Task Forcës vendore.

Ku në vend të përfshihet së bashku me të gjitha mediat lokale të qarkut tonë duke sensibilizuar komunitetin për parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike si një e keqe e madhe që duhet luftuar dhe të mbetet në historinë tonë si një faqe e zezë, ata bëhen palë së bashku me krimin dhe kriminelët që kush më shumë dhe kush më pak do të jetë para drejtësisë për dënimin e madh që i ka sjellë vendit tonë.

Me këtë rast, ftoj Prokurorinë, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe drejtoritë vendore të Policisë në qarkun tonë të shikojnë se kush fshihet pas tyre dhe kush i paguan për të parandaluar punën e organeve ligjzbatuese të shtetit.

Janë disa raste që ky portal kërkon të dezinformojmë komunitetin e qarkut në lidhje me problematika të ndryshme me të cilat është përballur qarku ynë kohet e fundit. Këto janë po aq të dëmshme sa dhe ata që ndodhen pranë tyre”, u shpreh Prefekti.

 

Shkrimi idatës 16.3.2018 botuar në portalin që i referohet Prefekti Aliaj 

Titutlli/ Gjirokastër, Prefekti do të ‘luftojë’ kanabisin me Lindita Rovën, Shpëtim Novin dhe Magdalena Margaritin

Zakonisht në Shqipëri kur do të bësh sikur punon, por që realisht të mos bësh asnjë punë, krijo Komisione Hetimore Parlamentare apo Task Forca. Kjo është një praktikë qesharake që vazhdon ende në institucionet tona. Së fundi edhe në Prefekturën Gjirokastër është ngritur një Taskë Forcë Vendore për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

“Kjo Task Forcë Vendore përbëhet nga drejtues të strukturave të veçanta të pushtetit vendor si dhe kryetarët e bashkive të këtij qarku. Nisur nga objektivat dhe prioritetet strategjike si dhe përpjekjet e vazhdueshme që po bën Qeveria Shqiptare për tu integruar në familjen europiane, Task Forca Vendore pranë Prefektit të qarkut ka hartuar Planin e Veprimit Vendor për parandalimin dhe luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e Prefekturës Gjirokastër.

Me siguri që Task Forca janë ngritur edhe në qarqe të tjera të vendit, por zor të besosh se mund të shpëtojmë nga kanabisi përmes strukturave të tilla, ku në shumë raste ka edhe drejtues kot sa për numër. Për shembull në takimin e sotëm të zhvilluar në Prefekturën Gjirokastër, merrnin pjesë edhe drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Lindita Rova, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Magdalena Margariti apo drejtori i Shëndetit Publik, Shpëtim Novi. Pyetja është: Ç’punë kanë me kultivimin e kanabisit këta njerëz dhe si mund të na ndihmojnë për ta ndaluar? Apo thjesht të mbushet salla për efekt kamerash e fotosh?! Dihet që barra kryesore në këtë veprimtari kriminale është Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Sa i përket Gjirokastrës, në raportin konfidencial të SHISH, i cili u publikua në media pak muaj më parë, përmendeshin emrat e disa oficerëve të policisë si të dyshuar për implikim në kultivimin e kanabisit.

 

 

Të fundit