Flash News

KRYESORE

Presidenti Meta jep dekoratën e parë, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për sportistin dhe diplomatin Agim Fagun

Presidenti Meta jep dekoratën e parë,  “Gjergj Kastrioti

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot në mesditë me një ceremoni solemne basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu duke i akorduar Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”.

Jam i bindur se Dekorata e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ ashtu edhe personaliteti i Agim Fagut nderojnë më së miri njëra-tjetrën, tha, ndër të tjera Meta. Kjo figurë e jashtëzakonshme dhe komplekse ndërthur si rrallë dhe në mënyrën më të shkëlqyer figurën e sportistit të niveleve më të larta evropiane dhe botërore me atë të qytetarit, intelektualit dhe të diplomatit të shkëlqyer.” – nënvizoi Presidenti Meta duke vënë në pah disa nga pikat kulmore të sportistit, diplomatit, edukuesit e pedagogut dhe figurës së spikatur intelektuale të zotit Fagu ndër dekada.

“Do të doja të vlerësoja dhe kontributin e tij në fushën e arsimit dhe të edukimit ku ai ka shërbyer në vitet e para pas diplomimit dhe është e qartë se ai kudo ka qenë i shkëlqyer si nxënës, student, mësues, pedagog dhe si diplomat.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Zoti Agim Fagu falënderoi Presidentin Meta “për fjalët, të cilat ndoshta disa herë i kalonin kufijtë e së vërtetës, por le ta gjykojnë të tjerët dhe ju falënderoj dhe për atë që të gjithë këtë respekt dhe dashuri të shqiptarëve që ju i ligjëruat në një dekret duke më vlerësuar mua me dekoratën më të lartë të vendit.”

“Do të uroja që kjo ceremoni të shërbente si një mesazh për shqiptarët kudo ku janë që ata të kuptojnë që kjo ceremoni u thotë atyre se kontributi i veçantë, por i vërtetë i qytetarëve në Shqipëri do të vlerësohet gjithmonë në mënyrën e duhur. Pavarësisht se dekorata është nominative, unë mendoj se ajo është dhe një mesazh për të gjithë djemtë dhe vajzat shqiptare të brezave tanë që me punën kontributin pasionin dhe talentin e tyre e transformuan Shqipërinë në arsim, shkencë, art, sport dhe kulturë.” – përfundoi mesazhi i zotit Fagu.

 

 

 

Të fundit