Flash News

KRYESORE

Presidenti u largua por jo protestat në Algjeri, të rinjtë kërkojnë ndryshimin e klasës politike

Presidenti u largua por jo protestat në Algjeri, të rinjtë

E premtja në Algjeri është “zyrtarizuar” si dita e protestave ku me mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, protestojnë në qytetet kryesore duke kërkuar ndryshimin e klasës politike. “Ne u zgjuam dhe tani ju do paguani”, është një prej thirrjeve në protestë që shënjestron politikanët e korruptuar në shtetin e Afrikës së Veriut.

E sunduar prej dekadash nga Abdelaziz Bouteflika, Algjeria konsiderohet një prej shteteve më të korruptuara dhe me varfëri të madhe, ndonëse burimet janë të shumta.

Presidenti Bouteflika u detyrua të dorëhiqej pas presionit të protestave, por qytetarët nuk janë larguar nga sheshet. Ata kanë vijuar protestat duke kërkuar edhe largimin e atyre politikanëve që janë ofruar si ‘konsensual’ për zgjidhjen e krizës.

Protestuesit kërkojnë tani dorëheqjet e Noureddine Bedoui, kryeministër i përkohshëm, dhe të Moad Bouchareb, kryetar i partisë në pushtet.

“Poshtë sistemi!” apo “Ju nuk jeni shteti, ju jeni një tufë hajdutësh”, dëgjohen thirrjet në kryeqytetin Algjer.

54% e popullsisë në Algjeri është nën moshën 30 vjeç dhe 26.4% e tyre janë të papunë. Ekspertët thonë se është pikërisht papunësia e lartë një nga faktorët kryesorë që revoltat të shpërthejnë në të gjithë të vendin.

Të rinjtë në Algjeri kërkojnë përmbysjen e sistemit të korruptuar, të kapur dhe të ndikuar në mënyrë masive nga nepotizmi.

Protestat në Algjeri kanë nisur në fund të muajit shkurt dhe nuk janë ndaluar.

Të fundit