Flash News

KRYESORE

Presioni amerikan, Thaçi tërhiqet nga ideja e korrigjimit të kufijve me Serbinë

Presioni amerikan, Thaçi tërhiqet nga ideja e korrigjimit të

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke vazhduar vizitën zyrtare në Uashington gjatë së cilës u takua me dy zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump, këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Në një intervistë për 'Zërin e Amerikës', presidenti Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë. Sekretari i shtetit Pompeo dhe ambasadori Bolton, në takimet me presidentin Thaçi theksuan se koha është tani që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar për arritjen e një marrëveshjeje historike.

Çështja e përcaktimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, e shprehur muaj më parë nga presidenti Thaçi si "korrigjim" kufijsh dhe e interpretuar gjerësisht si shkëmbim territoresh mes dy vendeve, është pritur me kritika të ashpra në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës ka dalë hapur kundër presidentit për këtë çështje. Gjatë qëndrimit në Uashington, presidenti Thaçi nuk e përmendi më "korrigjimin e kufijve”.

“Shpresoj që në ditët e ardhshme do të kemi themelimin e një ekipi negociator të institucioneve të vendit të dala nga parlamenti i Kosovës. Janë gjëra që do të diskutohen; qoftë për të zhdukurit, qoftë për të zhvendosurit, qoftë për pronat, qoftë për të drejtat e Kishës Ortodokse serbe, për zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, për procesin e normalizimit dhe të pajtimit me vendeve tona, për edukimin, për shëndetësinë. Por, një gjë duhet ta kemi të qartë: se pa definim të kufijve, nuk do të ketë as marrëveshje përfundimtare paqësore që garanton njohjen reciproke”.

“Prandaj, ekipet profesionale të të dy vendeve tona, ku do të jenë edhe ndërkombëtarët, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, të NATO-s, të BE-së, do të punojmë sikurse edhe në ekspertizat e vendeve tjera, që të definohet qartë edhe vija kufitare në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Por, një gjë ju siguroj se nuk do të ketë kufij në baza etnike, do të ruhet karakteri dhe realiteti i Kosovës multientike dhe do të kemi një marrëveshje të standardit euro-atlantik. Është një momentum që nuk duhet ta humbim, përndryshe është rrezik që t’i humbim me dekada të tëra por edhe çmimin më të madh ta paguajnë gjeneratat e ardhshme”, përfundoi Thaçi.

Të fundit