Flash News

KRYESORE

Pretendimet e Greqisë për detin, Idrizi: Absurde, kufiri detar është vendosur më 1913-ën!

Pretendimet e Greqisë për detin, Idrizi: Absurde, kufiri detar

“Shqipëria nuk ka çfarë diskuton për kufirin detar”, kështu është shprehur kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Në një intervistë për “Opinion” në News 24, teksa komenton deklaratat e fundit të Mitsotakis për zgjerimin e territorit grek 12 milje në ujërat shqiptare, Idrizi shprehet se çështja territoriale është vendosur në 1913 në Traktatin e Firences dhe është përcaktuar më 1946 në Komisionin Ndërkombëtar në Paris.

Shqipëria duhet të ndërhyjë urgjentisht si palë e interesuar dhe nëse janë prekur interesat e saj, duhet ta denoncojë këtë marrëveshje të ujërave territoriale. Ne nuk kemi debat me Greqinë sa i përket kufirit detar. Kufiri detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është vendosur më 1913 në kohën e Ismail Qemalit, është ratifikuar e gjitha më 1925 në Traktatin e Firences, dhe më 1926 Komisioni Ndërkombëtar në Paris për ujërat detare në Paris ka përcaktuar kufijtë detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më 2009, kur në Jon u pa se do të kishte rezerva të mëdha nafte e gazi, Greqia i kërkoi Shqipërisë të diskutohej për zonën ekonomike. Në takimet e para është ndryshuar gjithë qëllimi i marrëveshjes, nga diskutimi i zonave ekonomike, Shqipëria ka hyrë gabimisht me kokë në det dhe ka pranuar të diskutojë për ujërat territoriale.

Të dyja palët i ka kapur sindromi i Shën Naumit, nuk kanë sepse të diskutojnë çështjet e kufirit detar. Interesi i Shqipërisë është përcaktimi për piramidat në kufirin tokësor, pasi kufiri detar është përcaktuar. Kalamaj të paditur në mungesë të plotë profesionalizmi kanë bërë një marrëveshje në vitin 2009. Ne nuk kemi më tokë apo det për të falur. Nuk e kuptoj dot se si kryeministri i Shqipërisë, apo grupi negociator, nuk thërret në mënyrë urgjente ata që e njohin këtë punë. Nuk është hera e parë që Greqia bën deklarata për zgjerim me 12 milje, pasi edhe më 2018 e thanë një gjë të tillë”, tha Idrizi.

I pyetur, se është sjellë pikërisht tani në vëmendje kjo çështje, Idrizi thekson se kjo po përdoret si precedentë për konfliktin me Turqinë, me qëllim për të penguar një ndërhyrje të Ramës, si në rastin e Malit të Zi.

“Greqia do ta përdor këtë si precedent për konfliktin me Turqinë. Nuk mendoj që Mitsotakis është kaq i afektuar sa të bëjë si Rama e të ndërhyjë kot së koti, siç bëri psh me ndërhyrjen te zgjedhjet në Mal të Zi. Nuk mendoj se kryeministri i Greqisë afektohet nga Rama, por është shumë i qartë kur flet për interesat e vendit të vet. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe pala shqiptare. Nëse kryeministri grek thotë se do të zgjerohet Greqia, padyshim që i bie të ngushtohemi ne. Por, nuk ka nevojë Shqipëria të diskutojë kufirin detar, është i përcaktuar. Sa i përket zonës ekonomike, sigurisht që ky është momenti nga ku duhet të nisim. Nëse Greqia do të diskutojë kufijtë, ne kemi gjithë të drejtën t’i hyjmë diskutimit dhe për Çamërinë”, është shprehur Idrizi.

Të fundit