Flash News

OP-ED

Prilli i thyer i zgjedhjeve: Sa shumë në radhë për t’u bërë Abazoviçi i Tiranës  

Prilli i thyer i zgjedhjeve: Sa shumë në radhë për t’u

Alfred Lela

Presidenti Meta ka shpallur 25 prillin si të dielën e zgjedhjeve të radhës për Kuvendin e Shqipërisë. Të mbajtura zakonisht në mes të verës, mesi i pranverës është më e afërta  që këto zgjedhje ju afruan përcaktimit të të parakohshmeve. Opozita i kërkon të tilla prej më shumë se dy vitesh, dhe për të siguruar gjasën e një date të tillë doli edhe nga Kuvendi, nuk hyri as në zgjedhjet vendore të radhës, duke sakrifikuar shumë.

Anti-qeveritarët, sapo u njohën me 25 prillin filluan numërimin mbrapsht nën tingullin ‘tik, tak’. Duhet thënë ama, se kambanat e këtyre zgjedhjeve bien sa për Edi Ramën dhe qeverinë, aq edhe për Lulzim Bashën dhe opozitën.

Megjithëse damka ‘tradhtar’ pret e varur në gjuhën e çdo militanti në Shqipëri, kur u kritikon partinë, opozita ka ende për të bërë për të dalë prej zonës së pasigurisë, prej kondicionit neutro dhe për t’u paraqitur si alternativë e sigurt, e fortë, e pakundërshtueshme. Nuk është gjendja e saj sot se sa paqartësia në të shkuarën, lëvizja me disa shpejtësi, ndërtimi i aksioneve maksimaliste dhe kthimi në pozita minimaliste, bjerrja e cilësisë në emër të konformitetit me lidershipin, që e bëjnë busullën e PD me magnetizëm të çartur.

Sa ç’janë këto ulje-ngritje parësore në profilin e saj, po aq e fundos pamundësia për të ndërtuar një komunikim publik lartësish të pashpërfillshme. Në vend të kësaj, narrativa e PD ka qenë e tipologjisë tek-a-çift dhe jo një platformë strategjike që ndryshon vetëm taktikat në varësi të zhvendosjes së debatit nga krizat qeveritare.

Në tre vjet vetëm njëherë PD ia ka dalë ta rrëmbejë gjuhën komunikative nga kampi kundërshtar, duke propozuar hapje qind për qind të listave përkundër ‘të pjesshmeve’ të Ramës. Në pozicionime më të vogla, PD ia ka dalë gjithashtu që gjatë periudhës së pandemisë të shfaqet propozuese përballë një mazhorance që ka qenë e paqartë që nga fillimi, dhe si rrjedhojë e trajtoi operacionin kundër Covid-19 si sekret shtetëror.

Nëse qeveria Rama ka qenë e pazonja, për mbi tre vjet tashmë, të sigurojë zgjidhje (duke na mohuar madje edhe zgjedhjet), opozita ka qenë e paqartë për t’i ofruar ato. Kjo gjuhë trupi konvulsive politike ka patur të bëjë kryesisht me stililin dhe pengesat e lidershipit më shumë se me mungesën e kauzave apo ta apasionatës opozitare. Kjo e fundit shpesh është ngritur në kupë të qiellit, për të rënë më pas si balonë barkshpuar në taracën e selisë blu.

Pse jemi në prag të zgjedhjeve, por pa prospektin e zgjidhjeve? Kryesisht sepse klasa politike shqiptare ka mbetur ende postkomuniste, ashtu siç lindi në fund të vitit ‘90 dhe në fillim të ‘91. Mungesa parësore e trashëguar, dhe e deformuar edhe më, është shtrembërimi i garës së njëmendtë demokratike në bazë të alternativave apo mungesës së tyre. Mungesa e dytë është depolitizimi i pandodhur i administrates dhe shtetit: partitë politike këtu te ne vazhdojnë ende t’i joshin elektoratet me vende pune në administratat e tyre. Mungesa e tretë është bashkimi, i padrejtë, i politikës partiake me ekonominë kombëtare. Ky centralitet i ri postkomunist ka prodhuar një monstër kapitaliste që mungesën e kreativitetit e kompenson me aksesin te arka e shtetit.

Këto zgjedhje, ndryshe nga gjithë të mëparshmet, vijnë edhe me një iluzion. Partitë e vogla, të dala nga të mëdhatë dhe udhëhequra nga ish-eksponentë të tyre, ëndërrojnë që njëri/a syresh të jetë Dritan Abazoviçi i Shqipërisë. Nëpër ata sy, e nesërmja e zgjedhjeve shfaqet mbi relievin e një firme që i ngjan së tyres. Ajo që dhemb është se ideja e tyre politike është hakmarrja, dorëzimi i atyre që i përjashtuan nga partitë apo ua bënë të pamundur bashkejetesën nën strehëzat e vjetra.

Hakmarrja nuk është zgjidhje. Sa kohë kalërojnë mbi këtë ide, as ata nuk janë zgjedhje.

Ndoshta diçka ndryshon muajve në vijim; deri atëherë zgjedhjet janë një ritual, por jo një ndryshim.

Të fundit