Flash News

KRYESORE

Problemet me listën e kandidatëve për deputetë, Rama dërgon Taulant Ballën në Lezhë për të gjetur persona me reputacion publik

Ligji për dekriminalizmin i rrëzoi listën e kandidatëve për deputet Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e 2013-ës. Largimi i Armando Prengës nga parlamenti bëri që mandati t’i kalonte Lëvizjes Socialiste për Integrim, pak para zgjedhjeve, pasi socialistë i ezauruan të gjithë emrat që kishin përfshirë në listën e kandidatëve.

Edhe në zgjedhjet e 2017-ës, ku PS mori tre mandate, duket se sërish mbetet problem emrat e zgjedhur. Një prej deputetëve të këtij qarku Rama e përjashtoi nga grupi parlamentar. Gjetan Gjetani u përjashtua pas një postimi të bërë në rrjetet sociale ku shprehej kundër policisë në Kurbin.

Dhe duket se për të zgjidhur këtë problem Rama ka dërguar në Lezhë, kreun e grupit parlamentar, Taulant Balla. Ky i fundit, në një postim të bërë në rrjetin social Facebook thotë se ishte i pranishëm në Asamblenë e zgjeruar të PS-së së Lezhë teksa shton se aksioni kombëtar i pranimeve të reja duhet të ketë ndër synimet e veta kryesore afrimin e personave me reputacion publik, të angazhuar në nisma komunitare dhe profesionistë të spikatur.

“Bashkë me Senidën, Linditën dhe Pjerinin morëm pjesë në Asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste Lezhë.

Aksioni kombëtar i pranimeve të reja në Partinë Socialiste 🌹duhet të ketë ndër synimet e veta kryesore afrimin e personave me reputacion publik, të angazhuar në nisma komunitare, profesionistë të spikatur.

E gjithë vëmendja jonë duhet të jetë për njerëzit”, shkruan Balla.

 

 

 

 

Të fundit