Flash News

KRYESORE

Problemi i shpronësimeve në bypass-in e Vlorës, Balluku kërkon përshpejtim të ritmeve të punës nga kontraktori

Problemi i shpronësimeve në bypass-in e Vlorës, Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektuan ecurinë e punimeve në segmentin e dytë të bypass-it, që do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve kryesisht gjatë sezonit turistik

Ministrja Belinda Balluku tha se pavarësisht problematikave të evidentuara, punimet në këtë segment të bypass-it të Vlorës kanë ecur me ritme të kënaqshme.:

“Jemi të gjithë së bashku këtu sot, pasi bashkia luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë projekt. Ky është një projekt madhor, që do të ndihmojë aksesin e trafikut, që vjen nga qendra e vendit në drejtim të jugut, por sigurisht do jetë dhe një artierie lehtësimi për qarkullimin e brendshëm.”

Ministrja Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkinë e Vlorës, për të zgjidhur në kohë, çdo problematikë që mund të dalë gjatë procesit të punës dhe nga ana tjetër kërkoi nga firma kontraktore një ritëm të përshpejtura të punimeve.

“Ne kërkojmë bashkëpunimin, ndaj dhe roli i bashkisë është shumë i rëndësishëm për të lehtësuar edhe kontraktorin për të ecur përpara. Kërkojmë dhe nga kontraktori që të ketë impenjim maksimal”, u shpreh Balluku.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Leli shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton me qëllim avancimin e punimeve për përfundimin e kësaj vepre të rëndësishme. “Ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm zhvillimor në konsolidimin e perspektivës turistike të Vlorës dhe të gjithë jugut të Shqipërisë. Absolutisht ndihem i kënaqur me çfarë shikoj, sepse këtu është bërë një volum punimesh dhe ka një ritëm të pëlqyeshëm, që na bën të gjithëve që të ndihemi mirë. Do të keni absolutisht mbështetjen e bashkisë së Vlorës për zgjidhjen e çdo problematike që shfaqet në territor sidomos në zonën e Kaninës.”, deklaroi Dritan Leli.

Projekti i bypass-it të Vlorës, me gjatësi prej 29 kilometrash, nis në fundin jugor të autostradës Levan-Vlorë, për të përfunduar në lindje të qytetit të Orikumit ku bashkohet me rrugën nacionale Orikum-Sarandë.

Të fundit