Flash News

KRYESORE

Profesoreshë Kubota sjell në Tiranë ekspertizën japoneze në përballimin e emergjencave me tërmetet

Përvoja japoneze në përballimin e emergjencave nga tërmetet ka mbërritur në Tiranë.

Profesoresha Aya Kubota, nga Departamenti i Zhvillimit Urban në Universitetin e Tokyos u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ajo do të zhvillojë sot disa takime me grupet e emergjencës nga bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Veliaj falenderoi profesoreshën japoneze për gatishmërinë për të sjellë eksperiencën e saj në vendin tonë, ndërsa theksoi se më shumë sesa ndihma në bazë materiale apo vlera monetare, rëndësi ka ndihma në dije, në mënyrë që të jemi të përgatitur në përballimin e situatave të tilla.

“Më e rëndësishme, përveç ndihmave të emergjencës, është dija, të pasurit njohuri dhe informacion sesi mund të mësojmë nga një vend, i cili ka kaluar tragjedi e fatkeqësi të tilla dhe nuk i ka harruar, por ka mësuar prej tyre dhe është ngritur më i fortë dhe më i përgatitur. Japonia është ekzatësisht ky vend. Ndaj, jam shumë i lumtur që një nga zërat dhe mendjet më të ndritura sot në botë, doktoreshë Kubota, është në Tiranë që të fillojmë të shkëmbejmë dije dhe informacion sesi të përgatitemi”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Ai theksoi se përvoja japoneze në përballimin e emergjencave që shkaktojnë tërmetet do jetë një ndihmë e vyer për të gjitha ekipet e emergjencave civile të vendeve më të prekura nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit, por theksoi se është e nevojshme që nga kjo eksperiencë të përfitojnë edhe bashkitë e tjera të vendit.

“Mezi pres që ditën e premte të kemi një ëorkshop në Tiranë, ku të gjitha stafet e emergjencave dhe të urbanistikës së bashkive tona – Tiranë, Durrës, Krujë – pra, qarqeve të prekura, por pse jo, edhe nga qarqet e tjera, të vijnë në Tiranë të premten dhe të kemi mundësi të dëgjojmë nga eksperienca japoneze dhe të fillojmë përgatitjet”, u shpreh Veliaj.

Doktoreshë Aya Kubota theksoi se shkëmbimi i eksperiencës japoneze do t’i shërbejë Shqipërisë, që të jetë e përgatitur për të përballuar situata të tilla.

“Japonia ka shumë eksperiencë me katastrofat dhe ne mund të kontribuojmë në zonat e prekura. Të premten, në 6 dhjetor, në Tiranë, do të kemi një simpozium akademik me profesionistë nga kryeqyteti dhe profesionistë lokalë. Ne, nënkuptoj skuadrën japoneze, do të kemi disa prezantime dhe unë shpresoj se një mundësi e tillë është një lloj hapi për një plan afatgjatë. Nëse mund ta ndajmë këtë mundësi sa më shumë që të jetë e mundur do të isha shumë mirënjohëse”, tha profesoresha Kubota.

Ndërkaq, Veliaj shprehu interesin që ky bashkëpunim të jetë afatgjatë dhe me shkëmbime eksperiencash konkrete.

“Nuk e fsheh që kemi interes të jashtëzakonshëm për të pasur një bashkëpunim afatgjatë, pra përtej këtij hapi të parë që hedhim të premten, ku ekspertët japonezë dhe ekspertët shqiptarë të kenë mundësi të shkëmbejnë, të shohin projekte të veçanta sesi janë bërë këto ndërhyrje, dhe ashtu si Japonia, edhe ne të dalim më të fortë, jo si viktima, por si fitimtarë. Të dalim më të fortë edhe më të përgatitur për të ardhmen”, shtoi ai.

Të fundit