Flash News

KRYESORE

Profil/ Ngritja dhe rënia e Tony Podesta: nga lobisti më i fuqishëm në Washington, mik i Clinton-ëve, te falimentimi

Tony Podesta ishte në radhë për t'u bërë mbret i K Street

Firma e tij e lobimit e mbylli vitin 2015 si kompania e tretë më e madhe në Uashington, me rreth 30 milionë dollarë të ardhura nga më shumë se 100 klientë, duke përfshirë Google Alphabet Inc. dhe Wells Fargo & Co.

Me mikeshën e tij, Hillary Clinton, që pritej të fitonte zgjedhjet presidenciale, viti 2016 mendohej të ishte edhe më i mirë.

Podesta, një prani e zëshme, me këpucët e tij të kuqe dhe kostumet italiane, priti kongresmenë dhe njerëz me pushtet në banesën e tij në Venecia gjatë Bienales së Artit. Ishte një nga shumë shtëpitë e tij në të gjithë globin, përfshirë vilën e Uashingtonit, ku ai shfaqi një koleksion veprash arti të rangut muzeal. Në fillim të vitit 2016, ai ishte gati të blinte një apartament me vlerë prej 7.4 milionë dollarësh, me pamje nga Madison Square Park në New York City.

Pastaj erdhi rënia, një kolaps i çuditshëm shtyrë nga goditjet e papritura, të nisura prej fatit dhe të përkeqësuara nga arroganca. Problemet financiare, kërcënimet ligjore dhe zgjedhja e Presidentit Donald Trump morën çdo gjë me vete- klientët, firmën dhe, së fundi, pozitën e z. Podesta si një nga lobuesit më me ndikim të Uashingtonit.

Problemet e tij, disa të fshehura për një kohë të gjatë, u shfaqën në verën e vitit 2016. Grupi Podesta u braktis nga banka umbrellë pas lajmeve se firma kishte marrë përsipër kontrata për filialin amerikan të një banke ruse që u ishte nënshtruar sanksioneve. Pastaj erdhën tituj sipas të cilëve puna e firmës me Paul Manafort-in, ish-kryetar i fushatës së z. Trump dhe një bashkëpunëtor i Presidentit, mund të ketë qenë në shkelje të rregullave. Dhe në tetor, WikiLeaks botoi 20,000 faqe të emaileve të vjedhura nga vëllai i tij, John Podesta, kryetar i fushatës presidenciale të Znj. Clinton.

Vargu i lajmeve të sikletshme shqetësoi shumë prej korporatave klientë të Grupit Podesta, që preferonin të qëndronin larg një publiciteti të tillë. Megjithatë, Z.Podesta vepronte sikur e gjithë kjo shpejt do të merrte fund.

Ai e kaloi shumicën e vjeshtës duke udhëtuar nëpër botë, dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara ditën e zgjedhjeve, por anashkaloi fushatën e zonjës Clinton. Fitorja e saj do ta ndihmonte për të rregulluar shumë prej problemeve. Megjithatë, Clinton humbi zgjedhjet dhe zoti Podesta, ashtu si shumë të tjerë që kishin shpresuar në fitoren e saj, u zhgënjyen.

Klientët që e kishin pajtuar që t'u jepte akses në administratën e re të Clinton-it u larguan. Deri në fund të vitit, largimi i klientëve i kushtoi firmës 10 milionë dollarë në bilancet vjetore, sipas një kontabiliteti të brendshëm të Grupit Podesta të shqyrtuar nga The Wall Street Journal.

Shpenzimet e shumë viteve për artin, pushimet dhe pasuritë e paluajtshme e lanë z. Podesta të zhytur në borxhe, kur mbylli dyert e firmës së tij me 62 punonjës në fund të vitit të kaluar. Ai po shet edhe apartamentin në New York City, së bashku me disa skulptura të çmuara.

Podesta iu përgjigj pyetjeve tona nëpërmjet një zëdhënëseje për Grupin Podesta. Klientët, kolegët, miqtë dhe "madje edhe shumë nga kundërshtarët e tij politikë gjatë viteve, vazhdojnë të mbështeten te këshillat e tij të mençura", tha ajo. "Kur u largua nga firma, ai shprehu mirënjohjen e vazhdueshme për të gjithë njerëzit dhe angazhimin për të vazhduar mbrojtjen e tij për çështjet dhe idealet për të cilat ai ka luftuar gjithmonë."

Kjo histori e rritjes dhe rënies së z. Podesta bazohet në intervistat me dhjetra ish-punonjës të firmës së tij dhe bashkëpunëtorë, si dhe dokumentet e brendshme financiare, kalendarët dhe komunikimet e shqyrtuara nga gazeta.

Bashkimi i forcave

Anthony Thomas Podesta, 74 vjeç, dhe vëllai i tij më i ri, John u rritën në Çikago nga dy prindër, emigrantë të gjeneratës së parë nga Italia dhe Greqia. Babai i tyre, i cili nuk mbaroi dot shkollën e mesme, operonte një makinë për prerjen e kartonit në një fabrikë që bënte reklama për dyqane ushqimore.

Vëllezërit u afruan me politikën, duke punuar me Bill Clinton dhe Hillary Rodham në fushatën e Senatit të vitit 1970 të një kandidati të Partisë Demokratike në Konektikat. Ata u zhvendosën në Uashington DC, ku ndoqën Jurisprudencë në Universitetin Georgetown, dhe më pas punuan në qeveri -John në Departamentin e Drejtësisë dhe Toni në Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Uashington D.C.

Ata krijuan Podesta Associates, një firmë lobimi, në vitin 1987. John Podesta u largua në vitin 1993 për të punuar në Shtëpinë e Bardhë për Clinton, më vonë duke u u bërë shefi i Kabinetit.

Tony Podesta e ndërtoi firmën e tij të lobimit gjatë viteve – në vitin 2007 e ripagëzoi Podesta Group- me klientë të tillë si General Electric Co., Boeing Co. dhe me Uashington trade group për industrinë farmaceutike.

Në moshën 59 vjeç, u martua me Heather Miller, një punonjëse e Kongresit, 26 vjet më e re. Martesa e prillit të viti 2003 ishte e dyta për z. Podesta dhe  treta për zonjën.

Zonja Podesta hapi firmën e saj të lobimit, Heather Podesta + Partners dhe ata u bënë një çift i pushtetshëm në Uashington. Në vitin 2006, çifti bleu një shtëpi rreth 4 milion dollarë në lagjen e pasur Kalorama, dhe shpenzuan miliona para të tjera për ta rinovuar vilën, që ta përshtasnin për koleksionin e tyre të artit.

Vila në Kalorama-dy shtëpi më poshtë asaj të çiftit Obama-ishte margaritari në serinë e pasurive të patundshme të Podestës, ku gjatë viteve u përfshinë apartamente në New York City, apartamenti në Venecia dhe shtëpi në Sydney dhe Tasmani, si dhe liqenin Barcroft në Virginia. Ai ishte pronar i një shtëpie në Capitol Hill që e përdorte për zbavitje dhe ngritje fondesh.

Podesta merrte një pagë vjetore prej më shumë se 2 milion dollarësh dhe bënte miliona të tjera në bonuse dhe shpërblime. Ai dhe Heather Podesta së bashku i dhuruan më shumë para Partisë Demokratike dhe kandidatëve të saj se sa çdo lobist tjetër në Uashington në dekadën e fundit, tregojnë të dhënat e mbledhjes së fondeve.

Grupi Podesta pati një rritje të tillë sa, nga firma e 20-të më e madhe, u bë firma e 3-të më e madhe brenda një periudhe tre vjeçare, sa i përket të ardhurave të brendshme dhe të jashtme të lobimit, të nxitura nga biznesi gjatë mandatit të parë të Presidentit Obama.

Rritja ishte mbresëlënëse, duke pasur parasysh konkurencën e gjigantëve globalë që punësonin me qindra vetë. Gjatë administratës së Obamës, Grupi Podesta mori më shumë se 40 milionë dollarë në vit në kulmin e saj. Firma mori me qira dy zyra me vlerë prej 200,000 dollarësh në muaj.

Podesta funksiononte edhe si një këshilltar i stilit të jetës për klientët. Ai mbante një tavolinë të rezervuar te Toska, një restorant popullor italian, dhe ishte pronar i pjesshëm i Centrolina, një restorant italian në një bllok banimi prej miliarda dollarësh.

Koleksioni i artit me 1.300 objekte përfshinte fotografi nga Andreas Gursky, si dhe 8 skulptura të Louise Bourgeois me vlerë rreth 25 milionë dollarë. Podesta ia dhuroi portretin origjinal "Hope" të Shepard Fairey Galerisë Kombëtare të Portreteve.

Pikëpmaja e Tonit për diversifikimin e investimit janë një radhë artistësh, tha zonja Podesta në një profil të Washington Post më 2004 me titullin "E martuar me artin".

Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave konstatoi se në vitin 2007 dhe 2008, Grupi Podesta ka paguar më shumë se 300,000 dollarë për transportin e artit të blerë nga Z. Podesta - para të cilat janë raportuar në mënyrë të parregullt si shpenzime biznesi, sipas dokumenteve të konsultuara nga Gazeta. Më vonë, zoti Podesta filloi të faturojë firmën e tij me 360,000 dollarë në vit për marrjen me qira të objekteve të artit të ekspozuara në zyrë. Firma gjithashtu ka paguar një pjesë të pagës së kuratorit të artit të z. Podesta.

Punonjësit e Grupit Podesta kanë krijuar një sistem për të parandaluar që z. Podesta të rimbursohet nga kompania për shpenzime personale. Një doracak prej 36 faqesh për asistentët ekzekutivë të z. Podesta përfshinte këtë udhëzim: "Varet nga ju gjykimi juaj i shëndoshë se çfarë mund të rimbursohet".

Pasioni i z. Podesta për artin e ciflosi martesën, pasi zonja Podesta mësoi se ai po bënte fshehurazi blerje, sipas njerëzve të afërt me këtë çështje. Në vitin 2014, çifti bëri kërkesë për divorc, dhe koleksionit i artit u bë pjesë e luftës ligjore.

Sipas një marrëveshjeje të arritur, z. Podesta mbajti pjesën më të madhe të koleksionit. Ai hoqi dorë nga shtëpitë në Uashington dhe Manhatan, dhe gati 5 milionë dollarë në kursimet e pensionit. Ai ra dakord t'i paguajë ish-gruas së tij 200,000 dollarë çdo tre muaj për pesë vjet.

 Dita kur ndodhi divorci, në korrik 2014, z. Podesta mori një hua nga Citigroup Inc., duke përdorur disa prej veprave të artit si kolateral. Atë muaj, ai u tha punonjësve se firma mund të fitonte më shumë para duke rënë dakord të përfaqësonte klientë jo popullorë me Demokratët, si kompanitë e duhanit dhe Shoqatën Kombëtare të Armëve.

Biseda bëri që një lobist të largohej, duke i kushtuar firmës më shumë se 2 milionë dollarë në të ardhura vjetore nga ish-klientët e tij, sipas të dhënave publike dhe ish-punonjësve.

Punonjësit e firmës i kërkuan z. Podesta, në fillim të vitit 2014, që ai t'u shiste një pjesë të aksioneve. Grupi Podesta vlente të paktën 50 milionë dollarë në atë kohë, sipas ish-punonjësve. Gjatë darkës, Podesta u tha se ishte i hapur ndaj idesë dhe sugjeroi që të takoheshin me avokatët.

Ditën e takimit, punonjësit u mblodhën në sallën e konferencave të firmës. Podesta nuk u duk.

Podesta filloi të kërkonte klientë që paguanin më shumë, përfshirë qeveritë e huaja. Deri në vitin 2015, pas divorcit, zoti Podesta e kishte dyfishuar biznesin jashtë vendit krahasuar me katër vjet më parë, me 5 milionë dollarë. Klientët përfshinin Mbretërinë e Arabisë Saudite, Republikën e Irakut dhe qeverinë e Sudanit të Jugut, sipas raporteve të agjentëve të huaj të paraqitur në Departamentin e Drejtësisë.

Podesta ka punuar për disa klientë pa dijeninë e firmës së vet. Në nëntor 2015, ai nënshkroi me degën e Pirelli-t, prodhuesi italian i gomave, për 113,500 dollarë në vit.

Grupi Podesta kishte përfaqësuar operacionet në SHBA të Michelin, prodhuesi francez i gomave, që nga viti 2009. As Michelin dhe as lobistët e Grupit Podesta nuk e dinin për marrëveshjen e z. Podesta, sipas njerëzve të përfshirë.

"Z. Podesta shërbeu në një këshill ndërkombëtar biznesi për Pirellin, fokus i vetëm i të cilit ishte këshillimi mbi trendet në rajonet dhe vendet jashtë Shteteve të Bashkuara", tha zëdhënësja e Grupit Podesta.

Sipas ish-punonjësve, Grupi Podesta bëri punë Pr-i (marrëdhënie me publikun) në vitin 2015 për Raffaello Follieri, një biznesmen italian që ishte deklaruar fajtor për një mashtrim miliona dollarësh nga një fond investimi i drejtuar pjesërisht nga zoti Clinton, një nga klientët e hershëm të zotit Podesta. Podesta më vonë u bashkua me bordin e fondit të investimeve të zotit Follieri.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, zoti Podesta ndihmoi në mbledhjen e parave për fushatën e znj. Clinton, duke përfshirë një event për mbledhjen e fondeve në shtëpinë e tij në Kalorama. Sado e thellë gropa e tij financiare, një fitore e Clintonit do ta lehtësonte shumë nga presioni.

Pastaj erdhi vera e lajmeve të këqija. SunTrust Banks Inc. kërkoi të shkëpusë lidhjet me firmën pas lajmeve mbi bankën ruse të sanksionuar. Shefi ekzekutiv i Grupit Podesta i dërgoi një email të irrituar një kolegu. "Tony mendon se këta lloj klientësh nuk kanë pasoja për firmën, por kjo duhet të shërbejë si provë se ne duhet t'i marrim klientët më me seriozitet".

Pas humbjes së znj. Clinton në nëntor, Grupi Podesta i uli pagat dhe bonuset.

Kur punonjësit u kthyen në zyrë pas pushimeve, u përshëndetën nga një objekt i ri arti që z. Podesta kishte instaluar: "Shifting Degrees of Certainty." (Kurba e luhatshme e Sigurisë).

Afatet

Në fillim të vitit 2012, Z. Manafort dhe bashkëpunëtori i tij Richard Gates, lobistë Republikanë të kahershëm, morën në punë Grupin Podesta dhe një firmë tjetër për të lobuar në emër të Qendrës Evropiane për një Ukrainë të Modernizuar, një organizatë jofitimprurëse. Grupi Podesta u regjistrua si lobist i brendshëm për Qendrën.

Gjatë dy viteve të ardhshme, Grupi Podesta u pagua më shumë se 1 milion dollarë për punën, që më vonë do të provohej si shumë e kushtueshme.

Në prill të vitit 2017, Grupi Podesta paraqiti një raport në Departamentin e Drejtësisë duke pranuar se puna e tyre "mund të interpretohej si diçka që parimisht shkonte në favor të qeverive të huaja". Duke pranuar fajin në shkurt, zoti Gates pranoi se kishte ndërmjetësuar që Qendra të "paraqiste rrejshëm" se nuk ishte e mbikqyrur nga qeveria ukrainase.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit e paditën Grupin Podesta dhe disa lobistë të tij. Z. Podesta ofroi që firmat t'u paguante faturat e shpenzimeve ligjore punonjësve.

Si prokuror i posaçëm, Robert Mueller hetoi në çështjen e Ukrainës, vargu i titujve dhe hetimi i vazhdueshëm federal i larguan klientët e Grupit Podesta. Me rritjen e problemeve të firmës, ikën edhe qeveritë e Irakut, Vietnamit dhe Kosovës, në maj dhe qershor, të cilat, që nga viti 2012, kishin paguar 6 milionë dollarë. Në fund të majit, z. Podesta hyri në apartamentin e tij në New York City.

Punonjësit përsëri iu drejtuan zotit Podesta me idenë e blerjes së aksioneve të firmës. Gjatë një darke tri orëshe, më 7 gusht, Podesta kërkoi falje për dhimbjen që u kishte shkaktuar dhe tha përsëri se do ta konsideronte ofertën. Nga fundi i javës shkoi në qytetin bregdetar francez Saint-Pierre-Quiberon për pushime.

Para agimit të së hënës së 23 tetorit 2017, NBC News njoftoi se zoti Mueller ishte duke u përgatitur për të paditur Manafortin dhe implikonte zotin Podesta lidhur me punën në Ukrainë. Telefonat filluan të binin: Klientët dëshironin të dinin se çfarë po ndodhte. Banka e firmës donte të diskutonte llogarinë e saj.

Natën pasuese, zoti Podesta organizoi një mbrëmje ditëlindjeje për veten, duke u shërbyer qindra mysafirëve pica nga një furrë me tulla në oborrin e shtëpisë së tij në Kalorama.

Të premten e asaj jave, mediat njoftuan se paditë e para të z. Mueller do të zbuloheshin të hënën. Z. Podesta bisedoi me punonjësit gjatë fundjavës. Disa planifikuan të lënë dhe të marrin klientët e tyre. Të shtunën pasdite, ai mori pjesë në një mbrëmje surprizë për 70 vjetorin e ditëlindjes së zonjën Clinton.

Të hënën, më 30 tetor, prokurorët e SHBA njoftuan akt-akuzën e zotërinjve Manafort dhe Gates. Aktakuza pohoi se Grupi Podesta, i identifikuar si "Kompania B", kishte punuar me ta për Ukrainën. Z. Podesta në një takim me stafin tha se do të tërhiqej nga firma.

Një ditë më pas, një zyrtar i bankës së re të firmës, Chain Bridge Bank, kërkoi 655,000 dollarë në para kesh ose kolateral brenda 24 orëve, ose do të mbyllte linjën e kredisë së firmës.

Trump, i cili herë pas here e ka akuzuar firmën, shkruajti në Twitter atë ditë: Lajmi më i madh dje, që i sheh demokratët duke u dridhur, është Podesta që po ikën nga firma e tij.

Me largimin e klientëve, Grupi Podesta mbeti pa para. Qeraja e zyrave duhej të paguhej ditën tjetër. Një ide ishte që ta përdorin koleksionin e artit të z. Podesta si kolateral për një hua, por ai refuzoi.

"Në atë kohë, ishte e papërshtatshme të jepeshin garanci shtesë si individ për detyrimet e korporatës", tha zëdhënësja e Grupit Podesta.

Atë natë, zoti Podesta u shfaq në ditëlindjen e ish-guvernatorit Republikan të Mississipi-t Haley Barbour, i cili i dha një përqafim. "Ai ka bërë punë me cilësi të mirë", tha Barbour.

Zyrtari më i lartë financiar i Grupit Podesta i dërgoi z. Podesta një email në orën 7:23 të paradites: "Nëse nuk kemi kolateral të gatshëm para orës 17:00, nesër do të jemi në default (ngrirje të llogarive për mospagesë të kredive)." Nëse firma shkon në default shkroi CFO: "Ne nuk do të jemi në gjendje të paguajmë qiranë, këstet e veprave të artit, fushatat e reklamës, dhe më e rëndësishmja, pagat e punonjësve".

Podesta u përgjigj: "Më duhet lista me 5 pushime nga puna". Ditën tjetër, ai u nis për një ekspozitë arti në Torino. Afati i fundit i bankës kishte kaluar.

Deri në fund të javës së punës, Wells Fargo, Walmart Inc. dhe Oracle Corp e kishin lënë Grupin Podesta. Disa punonjës lëvizën sendet personale nga zyrat.

Të premten, CFO i firmës u largua. Atë natë, një menaxher i lartë i dërgoi një email z. Podesta që ndodhej në Itali, duke thënë se banka kishte ngrirë fondet e firmës.

"Kjo do të thotë që ne nuk kemi asnjë mënyrë për të paguar punonjësit", shkruhej në email. "Nëse ne nuk i paralajmërojmë punëtorët menjëherë se nuk kemi asnjë mënyrë për t'i paguar për punën e tyre, firma po mashtron".

Në përgjigje, zoti Podesta tha se do të telefononte bankën.

"Në këtë pikë, nuk ka para për të plotësuar listën e pagave më 15 dhe kështu ju duhet të planifikoni një takim me personelin të hënën për të njoftuar stafin", u përgjigj menaxheri.

Podesta u përgjigj nga Italia se: nuk do të shpallte falimentin personal për të shpëtuar firmën.

Të mërkurën e javës tjetër, transportuesit e mobiljeve filluan të marrin veprat e artit të z. Podesta nga muret e zyrës së tij.

Të enjten në mbrëmje, Kimberley Fritts, shefi ekzekutiv i firmës, i tha stafit se Grupi Podesta ishte drejt mbylljes. Punonjësit do të merrnin pagën e tyre të fundit për gjashtë ditë, ndërsa siguracioni shëndetësor do t'u mbulohej deri në fund të vitit.

Ndërsa zonjusha Fritts jepte lajmin, Podesta ndodhej në New York për prezantimin e një kalendari mode të publikuar nga Pirelli, klienti i tij personal. Galaja dy ditëshe përmbyllej me një darkë 'black tie' me Naomi Campbell, Puff Diddy dhe VIP-a të tjerë.

Para mbylljes së dyerve të firmës, zoti Podesta i caktoi vetes një paradhënie për bonuset e tij të lobimit.

 

Të fundit