Flash News

KRYESORE

Profil/ Studentët dhunohen në Fakultet, dekani Artan Hoxha hesht. Fijet që e lidhin me pushtetin dhe shpjegojnë heshtjen

Profil/ Studentët dhunohen në Fakultet, dekani Artan Hoxha hesht.

Policia është futur disa herë, në mes të natës dhe në mes të ditës, në mjediset e Fakultetit të Drejtësisë duke shantazhuar dhe dhunuar studentët që, prej disa ditësh, janë ngujuar aty duke ushtruar të drejtën legjitime të protestës.

Përshtypjen e keqe që të krijon brutaliteti i Policisë e shton edhe heshtja e krerëve të Fakultetit të Drejtësisë. Ku është, për shembull, dekani Artan Hoxha që nuk ka mbajtur asnjë qëndrim për studentët e tij të dhunuar brenda në Fakultet?

A është ai titullar i institucionit apo mëkëmbës politik i Qeverisë dhe partisë në pushtet? Për të kuptuar këtë duhet lexuar heshtja e tij, por edhe kërkuar në profilin e tij publik dhe profesional për ta kuptuar këtë heshtje.

Artan Hoxha para viteve ‘90, gjatë regjimit komunist, ka punuar si Prokuror. Me rënien e komunzimit, gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, ka ushtruar disa funksione në Ministrinë e Drejtësisë. Në vitin ‘99, kur Partia Socialiste kishte pushtetin, Hoxha u emërua nga Kuvendi me vota e shumicës së majtë, gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Në vitin 2011 gjatë Presidencës së Bamir Topit, Hoxha u propozua si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Propozimi i tij shpjegonte edhe një flirt të asokohe mes Topit dhe Ramës, që u duk i qartë më vonë gjatë aleancës dhe bashkërendimit të retorikës politike kur Topi la postin e Presidentit.

Nëse propzomi i tij prej Topit nuk habiti, çudi shkaktoi në rrethet mediatike dhe politike justifikimi që gjeti gjyqtari Hoxha për pasurinë: 200 mijë dollarëve të cilëve nuk u dihej burimi, tha se i kishte dhuratë nga i vëllai.

Kuvendi i Shqipërisë, për shkak të problemeve me mospërligjien e  pasurisë, e refuzoi Artan Hoxhën duke mos e miratuar si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Artan Hoxha në listën e pasurive të patundshme ka deklaruar një apartament 120 m2 në Tiranë; një tjetër apartament në plazhin e Golemit dhe një sipërfaqe toke prej 700 metrash në zonën turistike të Qerretit, po në bregdetin e Kavajës.

Në vitin 2018, deputetët e Partisë Socialiste e propozuan Artan Hoxhën si anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhe ai mori votat e socialistëve, duke i siguruar vetes një dypunësim, që i siguron miliona lekë në muaj, si Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe anëtar i Këshillit Mbikqyrës të BSh.

Këto janë gjurmët në karrierë që të çojnë të heshtja e Dekanit Hoxha. Mbështetja e pakursyer që ka marrë nga Partia Socialiste, e detyron atë ta kthejë këtë mbështetje në formë shërbimi duke tradhtuar studentët dekan i të cilëve është dhe interesat e të cilëve duhej të mbronte.

Ka edhe një kleçkë tjetër: një nga kërkesat e studentëve është që pedagogët t'i nënshtrohen një procesi vettingu, për shkak se një pjesë e tyre, sipas studentëve, janë të korruptuar. A mund ta mbështesë Artan Hoxha këtë kërkesë? 200 mijë dollarët e dikurshëm dhe të tjera pas tyre të bëjnë të mendosh se jo.

Artan Hoxha dhe Edi Rama bashkohen në një pikë: interesi për ta parë të shuar protestën studentore. Të dy duan t’i shmangen vettingut, njëri atij politik dhe tjetri studentorit.

Të fundit