Flash News

KRYESORE

Profili i kilotave të Kryeministrit dhe rëndësia e tyre për demokracinë shqiptare, 'sans culottes'

Profili i kilotave të Kryeministrit dhe rëndësia e tyre për

Alfred Lela

Edi Rama u zgjua herët sot. Pas një ecjeje të gjatë, në përpjekje për të humbur disa kilogramë, fituar sa nga stresi aq nga jeta e ndenjur kryeministrore, breshërisë se mesazheeve në celular dhe pak telefonatash të shkurtra, në kokën e thinjur të shefit të qeverisë feksi drita e një provokimi.

Çfarë do të vishte sot në qendrën e votimit në shkollën e Surrelit, një fshat i vogël në lindje të Tiranës ku ai ka ngritur shtëpinë e tij në periferi, megjithatë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Kundështarët ia qujnë 'bunker' dhe ia 'bombardojnë' përditë me topa të lehtë fushorë demokratikë, 'programi' i të cilëve parasheh që ta dërrmosh kundërshtarin, por pa e vrarë.

Mungesa e tij zbeh edhe dikotominë, edhe natyrën e luftës. Vdekja e kundërshtarit të pakëson edhe ty.

Çfarë të vesh pra - i tha Lindës sikur të fliste me vete. Bashkëshortes së kryeministrit, pinjolles së një familjeje tiranase, me mbiemër vajzërie të njëjtë me të kryetarit të opozitës, i pëlqen kur Edi vishet me kostumet Brioni. Stofi esnaf italian ia shpërfaq më mirë, jo vetëm siluetën e gjatë të vënë re edhe nga shkrimtari kombëtar Kadare (i gjatë shfaqet mes brymës, kryebashkiaku), por edhe pozitën.

Ajo e di, megjithatë, se Edi nuk e ka të veshurit shenjë, por vishet për të lënë shenjë. Le të themi, ai është shpirti ku përzihet getoja 'bregut perëndimor' të basketbollitamerikan  dhe 'bregu i majtë' parisian i pikturës, të ngecur në trupin e një kryeministri shqiptar.

Kilotat, gati sa nuk bërtiti ai.

Xhaketë smart casual, kilota treçerekëshe nën gjunjë, çorape të errët (krejt ndryshe nga herët e tjera, pasi preferon ngjyrat e forta) dhe një palë këpucë Oxford. Një përzierje e çuditshme e një dandy në prag të andropauzës, një libertini hollivudian dhe një shqiptari që vjen nga vitet '80 edhe si radikal, edhe si anarkist edhe si 'i penguar'.

Nuk është e vetmja gjë që ka risjellë nga vitet '80. Edhe votimet, pavarësisht koperturës demokratikase, me të huaj që shqyejnë sytë naivë nëpër qendra votimesh, ku kondicionerët kacafyten të mundur me afshin e vapës, mbulimin mediatik, ngjyrat e shumta mbeten, sidoqoftë, replica e votimeve të atij burrit tjetër me kilota, Enver Hoxhës. Komandantit.

Komandant e quajti dhe bejtexhiu tepelenas gjatë mitingun në qytetin e Aliut. Duke shtuar se, edhe atëherë qe ngritur nga shtrati për të shkuar në Gjirokastër për t'i kënduar Komandantit origjinal. Homoseksuale ngjante e gjithë skena në Tepelenë, pikërisht aty ku edhe Aliu këndellej me djemtë e rinj në shërbim të tij apo dhe me bardin e anglezëve, Bajronin.

Sikur të kishte veshur kilota edhe atë ditë përballë Golikut të sëmurë. Çfarë polifonie dhe kreshendoje do të kish patur kënga labe.

Eh!

Linda e shoqëron pa bërë zë, teksa i shoqi, pasi kishte magjepsur Parisin (sipas rrëfenjës së Ornela Vorpsit), pataksi edhe Surrelin.

Ajo e mban kryet poshtë (në kokë një baseball hat, ngjashmëria me Edin), si të kish ardhur nuse në Surrel dhe kjo të qe dita e paraqitjes në fshat. I shoqi me kryet përpjetë kontrollon, jo vetëm përrethinat, por duket sikur syri i kërkon poshtë në rrafshultën e qytetit zyrën në Kryeministri, ambasadat e huaja, Parlamentin, Presidencën.

I kam të gjitha, thotë me vete.

Shqipëria sans culottes.

 

*Sans culottes- pa brekë

 

Të fundit