Flash News

KRYESORE

Profili i The Economist/ Haradinaj, guerrilasi që di ta marrë fitoren nga nofullat e humbjes

Profili i The Economist/ Haradinaj, guerrilasi që di ta marrë fitoren

I plagosur dhe nën zjarrin e armëve, në vitin 1998, Ramush Haradinaj rrëmbeu të vetmen gjë që i hasi dora për të ndaluar gjakderdhjen. Ishte një copë djathë. Një vit më parë i vëllai i ishte vrarë nga ushtarët serbë disa qindra metra larg tij, ndërsa ata kontrabandonin së bashku armë  nëpërmjet maleve të Shqipërisë. Që nga ajo luftë zoti Haradinaj i ka përkthyer aftësitë e tij të përkryera të të qëndruarit gjallë fizikisht te të qëndruarit gjallë politikisht. Një manovër e tillë e tij ndodhi më 19 korrik, kur zoti Haradinaj dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës, duke thënë se është i dyshuar për krime lufte.

Roje sigurie, zdrukthëtar, guerrilas dhe politikan, Haradinaj ka pasur një karrierë me ngjyrat e pakkujt. Në një memuar ai foli me këndellje për përvojat si guerrilas shqiptar i Kosovës që luftonte me Serbinë. Në një rast, kur policët serbë të bllokuar po bënin thirrje për ndihmë, ai tha se "u kujdes për ta në një mënyrë të saktë, nga një distancë e afërt". Haradinaj është përndjekur nga akuzat se ai dhe njerëzit e tij kryen krime lufte, duke vrarë serbë dhe shqiptarë që konsideroheshin si bashkëpunëtorë apo rivalë. Ai gjithmonë ka mohuar çdo keqbërje.

Dorëheqja e z. Haradinaj sjell njëfarë ndjenje déjà-vuje. Në 2005 ai dha dorëheqjen pas 100 ditësh në mandatin e parë si kryeministër, pasi u padit nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë, ku u burgos gjatë gjykimit. Ai u lirua, por prokuroria pretendoi se ai frikësoi dëshmitarët, gjë të cilin e mohoi. Prokurorët apeluan dhe ai u paraqit përsëri në gjyq, për t'u liruar përsëri. Në vitin 2017 ai u arrestua në Francë me një urdhër-arrest serb dhe u mbajt atje gati katër muaj. Francezët e lanë të lirë; arrestimi ia rriti popullaritetin në atdhe.

Më 24 korrik zoti Haradinaj u mor në pyetje në një gjykatë të posaçme të Kosovës, e krijuar me personel ndërkombëtar në Hagë, pasi një raport i Këshillit të Europës i vitit 2010 i akuzonte disa ish guerrilas kosovarë për krime lufte. Në raport Z. Haradinaj përmendet vetëm në një futnotë, por Hashim Thaçi, president i Kosovës, është gjithandej.

Të dy kanë qenë rivalë për një kohë të gjatë. Gjatë vitit të kaluar, zoti Thaçi ka diskutuar një marrëveshje të mundshme me Aleksandar Vuçiç, president i Serbisë, i cili mund të përfshijë heqjen dorë nga pjesa veriore e Kosovës e banuar nga serbë, në këmbim të një pjese të banuar me shqiptarë në jug të Serbisë. Z. Haradinaj argumenton se kjo do të destabilizonte të gjithë rajonin. Nëntorin e kaluar Serbia e pengoi me sukses Kosovën, të cilën nuk e njeh, nga pranimi në Interpol, për herë të tretë. Z. Haradinaj u hakmor duke imponuar një tarifë 100% mbi importet e Serbisë dhe Beogradi pezulloi bisedimet. Me zgjedhjet serbe vitin e ardhshëm nuk ka gjasa që bisedimet të rifillojnë deri pas tyre.

Vetëm për shkak se është thirrur për t'iu përgjigjur pyetjeve në Hagë nuk do të thotë që Haradinaj do të dënohet, thotë Jeta Xharra, një gazetare e njohur kosovare. Shumë vetë spekulojnë se prokurorët po thërrasin shumë udhëheqës guerrilas, duke shpresuar që njëri prej tyre 'të dorëzohet'. Por, thotë znj. Xharra, pasi Haga e ka gjykuar z. Haradinaj dy herë dhe nuk e ka dënuar, nuk ka gjasa që kjo gjykatë të ketë sukses.

Tani për tani z. Haradinaj është një kryeministër në detyrë. Është e dyshimtë që një qeveri e re të mund të gatuhet, kështu që zgjedhjet ndoshta do të zhvillohen në vjeshtë. Z. Haradinaj është një mjeshtër në rrëmbimin e fitores nga nofullat e humbjes. Megjithë premtimet e tij, kosovarët ende nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza (edhe pse Kosova ka përmbushur kërkesat europiane). Ai e ka dyfishuar pagën e vetes edhe pse vendi mbetet i izoluar dhe i varfër. Por me vendimin për të shkuar në Hagë, ai ka kthyer qendër të vëmendjes elektorale luftën. Ardian Gjini, një aleat i ngushtë, thotë se, jo për herë të parë, një sfidë i ka dhënë atij "krahë politikë". ■

*The Economist. Perkthimi: Politiko.al

Të fundit