Flash News

KRYESORE

Projeksioni/ Si ndryshon rezultati nëse opozita del e bashkuar në zgjedhje dhe a mund të kapet 71-shi?

Marrëveshja Edi Rama-Lulzim Basha, e cila pamundëson krijimin e koalicioneve për zgjedhjet e 25 qershorit, ka zemëruar jo pak partitë e vogla që e shohin veten jashtë procesit.

Ditën e djeshme, kreu i PD zhvilloi një takim me aleatët ku i propozoi pjesëmarrjen në zgjedhje nën logon e demokratëve.

Gazeta ‘Mapo’ ka bërë një projeksion të rezultatit të zgjedhjeve të 2017-ës bazuar në rezultatin e 2013-ës dhe ndarjes së kampeve sot.

Sipas kësaj gazete, nëse aleatët bëhen pjesë e listës së PD, atëherë opozita e bashkuar arrin deri në 60 mandate, ndërsa PS në 64. Ndonëse marrëveshja është komentuar si një goditje ndaj LSI, është sërish kjo forcë politike që vendos për krijimin e qeverisë bazuar në këtë projeksion. Partia që drejtohet nga Petrit Vasili llogaritet të arrijë në 15 deputetë.

Më e humbur në zgjedhjet e 25 qershorit do të dalë PDIU e Shpëtim Idrizit, që parashikohet të nxjerrë vetëm një deputet.

Gjithsesi, rezultati i 25 qershorit nuk do të jetë kaq lehtë i parashikueshëm, kjo edhe për faktin se në 2013-ën kishim një PD që mbante mbi supe 8 vite qeverisje, ndërsa sot është PS ajo që ka drejtuar për katër vite vendin duke mbajtur mbi vete sukseset dhe dështimet.

Gjithashtu, me interes pritet të shihet se sa do i dëmtojnë partitë e mëdha dy prurjet e reja të këtyre zgjedhjeve, partitë LIBRA dhe Sfida për Shqipërinë, që sipas këtij projeksioni e kanë të pamundur të nxjerrin deputetë, pa harruar ndikimin që do të ketë ndarja e re territoriale.

Të fundit