Flash News

KRYESORE

Projektet me PPP/ FMN jep sërish alarmin: Po rrisin rreziqet fiskale

Projektet me PPP/ FMN jep sërish alarmin: Po rrisin rreziqet fiskale

Partneritetet Publike Private (PPP) janë kthyer edhe një herë në vëmendje nga Fondi Monetar Ndërkombëtar duke paralajmëruar ashpër për rreziqet fiskale që ato mund të sjellin për buxhetin dhe ekonominë vendase. Në staf raportin e fundit për Shqipërinë, ky institucion nënvizon se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje detyrimeve potenciale ndërkohë që kontratat janë të hartuara dobët dhe mund të pengojnë eficencën e investimeve publike.

Shqetësimi tek projektet PPP duket se i referohet shifrave të cilat kanë pësuar rritje të shpejtë në raport me GDP. “Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontrolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e GDP-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të GDP-së” thuhet në raport.

“Në kahun e brendshëm, borxhi publik është i lartë, ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin,” thuhet në raport.

Në kushtet kur Shqipëria ende nuk ka ndërprerë vrullin e PPP, Fondi ka rekomanduar që të forcohet dhe konsolidohet vendimarrja lidhur me procesin e investimeve publike në këtë formë duke nënvizuar sigurimin e vlerës së parasë në këto projekte PPP, që do të thotë projekte përmes një procesi ofertimi konkurrues. Një tjetër problematikë e hasur sipas FMN është që vlerësimi dhe përzgjedhja e projekteve të investimeve vazhdojnë të jenë të fragmentuara në varësi të burim i financimit të projektit. Revista Monitor

Të fundit