Flash News

KRYESORE

Prokuroria kërkon arrest me burg për Fadil Kasemin, vrau ish-gruan gjyqtare

Prokuroria kërkon arrest me burg për Fadil Kasemin, vrau ish-gruan

Pasi u arrestua dhe pranoi se ishte ai që e vrau ish-gruan e tij, gjyqtaren Fildes Hafizi, Fadil Kasemi do të dalë nesër paradite në Gjykatën e Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij. Prokuroria mësohet se do të kërkojë caktimin e masës “arrest me burg” me akuzën e vrasjes në rrethana familjare. Një tjetër akuzë e ngritur ndaj 53-vjeçarit është edhe ajo e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit. Gjyqtarja e Shkallës së Parë Shkodër, Fildes Hafizi, u qëllua me një armë që mbahej pa leje nga autori i krimit.

Krimi i dy ditëve më parë në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë vinte tri ditë pas një debati që dy ish-bashkëshortët kishin pasur thuajse në të njëjtën zonë.

Sipas dëshmisë së një prej mikeshave të Fildes Hafizit, së cilës ajo i ishte rrëfyer gjatë një kafeje që kishin konsumuar bashkë, ishte përballur të hënën me ishbashkëshortin në rrugë. Duket sikur ai e kishte pritur në trotuarin pranë tunelit, ku ajo merrte rrugën për në shtëpi dhe kishte këmbëngulur që duhej të bisedonin.

Sipas viktimës, ai i kishte kërkuar që të riktheheshin bashkë dhe t’i rrisnin bashkë fëmijët. Propozim që gjyqtarja 39-vjeçare nuk e kishte pranuar, duke i rikujtuar episodet e dhunshme dhe kërcënimet e tij.

Por, pas këtij debati duket se situata për Fadil Kasemin ishte përkeqësuar edhe më tepër. Aq sa ditën e enjte, duket se kishte paramenduar gjithçka dhe ka shkuar i armatosur drejt ish-bashkëshortes, duke e qëlluar për vdekje.

Të fundit