Prokuroria mbyll hetimet për lobimin në SHBA, Basha i pandehur për falsifikim formulari/ Sa vite burg rrezikon nëse vërtetohen akuzat

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për kreun e PD, Lulzim Bashën, ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së,  Arben Ristanin dhe financierin e PD-së Ilir Dervishin, për çështjen e financimit rus të Partisë Demokratike për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prokuroria e ka çuar çështjen në Gjykatën e Tiranës.

Prokuroria ka dërguar një shkresë në selinë e PD, ku njoftohet lideri i demokratëve se ndaj tij kanë përfunduar hetimet për lobimin në SHBA përmes kompanisë offshore Biniata Trade.

Ndërkohë që prokuroria e akuzon kryedemokratin Basha vetëm për “falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Prokuroria ka marrë të pandehur me të njëjtën akuzë edhe Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin.

Sipas televizioneve informative Bashës i është komunikuar akuza dhe marrja e tij si i pandehur një ditë më parë nga avokati i tij Ivi Kaso.

Më poshtë shkresa zyrtare e Prokurorisë

 

Sa vite burg rrezikon Lulzim Basha nëse provohen akuzat për falsifikim dhe fshehje të financimeve ndaj tyre?

Sipas nenit 190/3 që bën fjalë për falsifikimin e formularëve ose me paraqitjen e rreme të tyre nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, që u drejtohet organeve shtetërore dhe dënohet me burgim nga 3 deri në 7 vjet burg.

Kurse sipas nenit 287/ç që në kodin penal ka të bëjë me pastrimin e parave, kryerja e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dënohet nga pesë deri në 10 vite burg.