Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Propozimi i Abazoviq për qeveri ekspertësh, Patozi: Nëse funksionon, të implementohet edhe në Shqipëri
Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar pas zgjedhjeve në Mal të Zi, duke i dhënë një tablo të qartë zhvillimeve të fundit politike dhe u ndalur kryesisht në figurën e Dritan Abazoviq.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Patozi shprehet se pavarësisht se sa i mbajmë premtimet si figura politike në një rajon problematik, “Abazoviq është bërë politikan kryesisht me votat e kombësive të tjera dhe se propozimi i tij për një qeveri ekspertësh duket se ka qenë edhe kollona kryesore e marrëveshjes së koalicionit, e cila mund ta rrëzojë Gjukanoviqin nga pushteti pas 30 vjetësh.”
Sipas Patozit, propozimi i tij për një qeveri ekspertësh funksionon në Malin e Zi, pse të mos implementohet edhe në Shqipëri.
Postimi i plotë i Patozit:
Mjafton të mos ua lëmë atyre prapë në dorë
Për shqiptarin Abazoviq, që u kthye papritur në njeriun kyç të Malit të Zi, qarkullojnë shumë informacione këto ditë.
Mes tyre mund të ketë të vërteta, legjenda, shpifje apo thashetheme, dhe kjo ndodh me të gjithë ata që vihen në qendër të vëmendjes publike.
Nuk e di se si ndjehet ai vetë, por është e sigurt që çfarëdo që të mendojmë për të, ne nuk e bëjmë, as më të madh dhe, as më të vogël, se sa është, Dritan Abazoviqin.
Por nuk është karriera e një shqiptari të çuditshëm në Ballkan, që është bërë politikan kryesisht me votat e kombësive të tjera, ajo që më bën përshtypje.
Propozimi i tij për një qeveri ekspertësh duket se ka qenë edhe kollona kryesore e marrëveshjes së koalicionit, e cila mund ta rrëzojë Gjukanoviqin nga pushteti pas 30 vjetësh.
Meqë jemi në një rajon problematik, ku besa nuk vlerësohet shumë, askush nuk mund ta vërë dorën në zjarr, nëse kësaj dakordësie do t'i shkohet deri në fund dhe aq më pak për fatin e kësaj qeverie teknike, që mund të krijohet së shpejti në Mal të Zi.
Nuk ka rëndësi, nëse kjo është një shpikje personale e shqiptarit Abazoviq apo një projekt më i gjërë ndërkombëtar për të pasur një tranzicion të butë pushteti në Podgoricë, ndoshta edhe me pëlqimin e presidentit humbës.
Por nëse do të funksiononte atje, them se do të kishte qenë një model i mirë edhe për Shqipërinë, e cila e ka më emergjente dhe më alarmante nevojën për të dalë nga kthetrat e 3 apo 4 personazheve, që i kanë bërë gjëmën për dekada me radhë dhe as që e çojnë ndërmend të tërhiqen ndonjëherë.
Por që kjo të realizohet duhet në radhë të parë t'u presësh thonjtë dhe të mos ua lësh ta kenë prapë ata në dorë.
Sepse po e patën, nuk ka nevojë të shtrydhësh fantazinë, sepse bëjnë ekzaktësisht të njëjtën gjë; e fusin Shqipërinë mes këmbëve dhe e copëtojnë të gjallë.
Dhe ka vetëm një rrugë për t'i ndalur, jo vetëm këta tanët, por të gjithë autokratët apo politikanët e korruptuar, kudo në botë.
Duke i refuzuar dhe duke i sfiduar përmes zgjedhjeve, të cilat, fatmirësisht, i kemi në prag.