Flash News

KRYESORE

Propozimi për shtyrjen e zgjedhjeve, një deputet i CDU kundër kolegëve: Nuk mund të ndërhyjmë

Propozimi për shtyrjen e zgjedhjeve, një deputet i CDU kundër

Mark Hauptmann, deputet i partisë gjermane CDU, ka bërë një deklaratë që del nga linja e dy kolegëve të tij, por shkon edhe kundër qëndrimeve të Qeverisë së Shqipërisë.

Nëpërmjet një deklarate që mban emrin e tij, Mark Hauptmann thotë se e sheh me sy kritik propozimin e dy kolegëve gjermanë, Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt, që propozuan shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, si një hap të parë për zgjidhjen e krizës politike në vendin tonë.

“E shoh me kriticizëm idenë e ndërhyrjes në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e deputetit gjerman.

Në këtë deklaratë, Mark Hauptmann shqetësohet për sovranitetin e Shqipërisë më shumë se edhe Qeveria shqiptare. Është vetë kryeministri Edi Rama që përdor ndërhyrjen direkte të Gjermanisë dhe SHBA-së, si argument për të kritikuar opozitën. Deklaratat që bëhen nga ambasadat e huaja për çështje që nisin që nga një protestë dhe deri në reformën në drejtësi, në një shtet funksional do konsideroheshin ndërhyrje në punët e brendshme, por në Shqipëri kjo tolerohet si diçka normale.

Sa i përket Mark Hauptmann, ai ka qenë për herë të fundit në Tiranë në maj të 2018-ës, kur zhvilloi një takim me Taulant Ballën, kreun e Grupit Parlamentar të PS.

Të fundit